Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se tre anëtarë të Kongresit Amerikan i kanë dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në lidhje me çështjen për shpërthimin e Gërdecit.
Në një intervistë për emisionin “Bardh a Zi”, Mediu, i cili mbante postin e ministrit të Mbrojtjes në kohën kur ndodhi tragjedia, tha se ata kërkonin që reforma në drejtësi të mos përdorej.
“Një vit më parë, tre anëtarë të kongresit kanë bërë një letër në raport me hapjen në mënyrë të kësaj çështjeje për Gërdecin. Ndoshta kam bërë gabim që s’e kam nxjerrë. Në atë letër i kërkohet Blinken, meqenëse Amerika ka mbështetur reformën në drejtësi, se reforma nuk mund të përdoret në kundërshtim me kushtetutën, lirinë dhe të drejtat dhe kjo po ndodh. Një cështje që është e parashkruar, ka të të bëjë me sigurinë juridike, nuk munden gjyqtarët të bëjnë ligj, zbatojnë ligjin. Dhe vendimi i gjykatës së Apelit është bërë ligj sepse është pezulluar parashkrimi. Më tej Gjykata e Lartë e ka hedhur poshtë. Kjo cështje është gjykuar në vitin 2009, 2014, në 2019, 2020 me vendim të formës së prerë dhe prapë gjykata do ta hapë. Por shteti nuk mund të ngelet në dorë të veprimeve të njëanshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve. ndonjëri me të drejtë thotë shko në gjykatë, kur gjyakta respekton ligjin dhe kushtetutën por kur nuk e respekton, ky nuk është më një proces për të drejtën. Unë jam në një situatë absurde sidomos me një ekspertim që po them vetëm dy elementë.”, u shpreh Mediu.
Më tej, ai shtoi se asnjëri nga dëshmitarët e thirrur në gjyq nuk kanë dëshmuar kurrë kundër tij. Ai e cilësoi si absurde hapjen e çështjes në një kohë kur gjykatat kanë dhënë një vendim të prerë.
“Nuk kam qenë në vendin e gabuar, kam qenë në postin e duhur dhe i kam shërbyer me ndershmëri anëtarësimit të Shqipërisë në NATO por për fatin e keq, shpesh në jetën shoqërore dhe polititike nuk ka gjykim të drejtë se kush është roli i ministrit dhe i strukturave të tjera. Roli i ministrit është i një civili. Nuk merret me armatime dhe municione, janë të karakterit tërësisht ushtarak. Unë në përgjegjësinë time morale, mendova se unë duhet të jepja dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes, dhe e dhashë. Por e dhashë duke iu krijuar terren të lirë shumë njerëzve që kishin manipuluar jo në atë viut, por që në 2003. Gërdeci është përdorur për demontimin e tankeve që në 2003. Nuk është zgjedhur nga Mediu. Ata që kanë punuar në Gërdec, kanë që në 2003 dhe lidhjet kanë dalë evidente nga dosja e prokurorisë. Kam bërë një thirrje në këshillin e sigurisë ku i kam bërë thirrje prokurores së përgjithshme që nëse do të gjente një komunikim timin me ata që bënin biznesin në Gërdec, unë familja dhe stafi im, do të merrja përgjegjësinë. I kam kërkuar gjyqtarres që këto procese në GJKKO të jenë publike. Mbi 70 dëshmitarë të thirrur nga prokuroria, asnjë nuk dëshmoi kundër ministrit të Mbrojtjtes.”, tha Mediu.