Mjeku infeksionit Gent Stroni foli në studion e ABC News për kërkesat e bluzave të bardha të QSUT, kërkesa për të cilat u zhvillua edhe një takim në Kryeministri.
Ai theksoi se nuk ishin njoftuar se kush do të ishte pjesë e këtij takimi.
“Kërkesat tona janë bërë të ditura edhe më parë. Grupi i punës për takimin e ardhshëm do të jetë nga sindikata dhe ministria”, tha Stroni.
Gjatë intervistës në studio ai theksoi se ka mangësi për reanimator dhe kjo sipas tij është e papranueshme.
“Sot që ne flasim hapim konkurse dhe për reanimacion asnjë nuk merr pjesë, flas këtu për vende pune. Duhet analizuar se tashmë shumë mjekë po mbushin tregun gjerman. Ne jemi një vend që prodhojmë staf mjekësor dhe nuk i kemi të pranishëm në vendin tonë. Sa i përket veshjeve, ne vërtet kemi në veshje në Infektiv, por nuk është kjo çështja sepse nuk flas vetëm për “Infektivin”.
Një mjek, infermier që do të duhet të shkojë në shtëpinë e një pacienti në një zonë të thellë do të duhet të sigurohej me mjetë dhe kushte të domosdoshme. Duhet të dalim nga “Infektivi”. Ne kemi edhe një handikap tjetër kur flasim për pjesën e pacientëve që do të duhet të triazhohen. Ajo që ishte pozitive ishte vendosja e një kalendari konkret që do të fillojë të mërkurën që vjen. Tashmë jemi të sigurt që kemi një anëtarësi të madhe. Rëndësi ka që ne të hapim derën e parë të bashkëpunimit me strukturat shtetërore”, tha ai.
Kërkesat e mjekëve:
-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjatë intervistës u ndal edhe tek vetëvrasjet në spitalet COVID:
Stroni: Në këtë moment ne jemi të paqartë për këtë sëmundje. Unë i rekomandoj edhe mjekëve të familjes që tashmë po marrin rolin kryesor, se do të duhet të trajtojnë rastet e lehta si një pneumoni të thjeshtë. Një pjesë e mirë e pacientëve po pretendojnë të marrin terapi në shtëpi. Ajo që po ndodh është se ne, në spital po ballafaqohemi me raste të mesme dhe të rënda, të cilat them se po arrijmë ti menaxhojmë. Ne po arrijmë t’i menaxhojmë me një numër të ulët të numrit të vdekjeve.
Si do të ndikojë ftohja e motit ndaj COVID-19 dhe situata në dy spitalet?
Stroni: Valën e madhe e kaluam gjatë periudhës së gushtit. Në këto moment Infektivi është duke ulur shifrat dhe deri diku edhe në “Sanatorium” është një situatë jo shumë e rëndë.
Frika e qytetarëve për të shkuar në spital, çfarë ndodh brenda tyre?
Stroni: Janë zhurma. Sigurisht nëse ke probleme shëndetësore duhet të shkosh tek mjeku. Ku do të realizohet zgjidhja, përveçse tek mjeku. A është kjo më e mira e mundshme? Unë ,mendoj që po bëhet një punë e mirë.
Sa i përket filmimeve që qarkullojnë në rrjete sociale, nuk e kuptohet si mund të mendohet diçka e tillë!? Si mund të shprehen: “Ju i vdisni sepse doni të merrni para”! Ku ekziston kjo? Kush është kjo organizatë që jep para për një person që ndërron jetë? Nuk ka të çmendur që të japë para për humbjen e jetës së një personi.
Përse nuk lejohen aparatet celulare në ambientet e spitalit?
Stroni: Kjo nuk është e vërtetë. Çdo person që ka hyrë në Infektiv ka pasur celular, ju garantoj për këtë. Por unë dua t’i jap të drejtë familjarëve që janë shprehur se kanë nevojë për informacion. Tashmë në Infektiv është vendosur një celular vetëm për thirrje dalëse për të dhënë informacion për familjarët.
Por imagjinoni sa vrasëse mund të jetë për një mjek që ka lënë detyrën në mëngjes dhe të jetë sërish në detyrë për t’ju përgjigjur problematikave të ndryshme.
Sakaq ai shtoi: Fillimisht popullata duhet të vaksinohet për gripin, duhet hequr në këtë mënyrë një të keqe më të vogël.
/abcnews.al/