Kukësi udhëton nesër drejt Ballshit për t’u ndeshur me vendasit e Bylisit për javën e shtatë të Kategorisë Superiore. Para kësaj sfide në konferencë për shtyp doli trajneri i nënkampionëve, Skënder Gega.
PËRMIRËSIMI – “Njerëzit duhet t’i shohin gjërat me optimizëm kur bëjmë disa ndeshje të mira. Kjo do të thotë të jemi aty ku ne mendojmë se duhet të jemi, prandaj çdo ndeshje ka rëndësinë e vet.
Mendoj se ndeshja në Ballsh do të jetë shumë e luftuar, kemi gjendje të mirë, të korrigjojmë gjërat që kemi bërë gabim herën e fundit”.
FITORJA ME APOLONINË – “Ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra. Ka ekipe që duan të mbyllen dhe të mos pësojnë shumë gola, duan të ruajnë balancat. Apolonia ka kaluar, por gjithsesi do t’i analizojmë sot gjërat pasdite. Kemi diskutuar me ekipin.
Apolonia është në Superiore, pavarësisht se ndodhet në vendin e fundit. Kemi nevojë të përmirësohemi në të gjitha aspektet. Futbolli luhet për golat dhe goli është ai që të ngroh dhe të bën të kalosh te ndeshja e radhës.”
KALENDARI – “Është për të gjithë, ekipet e shikojnë si problemin e tyre. Nuk ka shumë diferenca mes ekipeve. Ndeshjet janë të ngjeshura, prandaj është e pamundur për potencialin dhe kualitetet që të shprehen. Do mundohemi t’i menaxhojmë gjërat si duhen dhe të shmangim dëmtimet, kemi 25 lojtarë.
Por, ne duhet që t’i marrim me radhë gjërat, ajo që mendojmë është s’ka limit, përsosmëria s’ka fund. Jemi përmirësuar, kemi marrë pikë. Çdo gjë e kemi përmirësuar, e kemi nisur jo mirë, mund të shpëtosh njëherë në një ndeshje, kur humb ndeshje ke mangësi.”
COVID-19 – “Gjërat po shkojnë në progres, s’mund të rri në shtëpi me celular. Stafi ka bërë një punë mbresëlënëse, i kam përgëzuar. Jam bashkuar me grupin që të jetoj punën në çdo moment, besoj se gjërat e mira do vijnë shumë shpejt”, përfundoi Gega. /abcnews.al