Gega: S’kam armiq në Shqipëri, do merrja këdo që e meriton tek Al Faisaly

schedule09:44 - 19 Mars, 2020

schedule 09:44 - 19 Mars, 2020

Skënder Gega zbarkoi dy ditë më parë në Jordani, aty ku do të drejtojë skuadrën e Al Faisaly. Trajneri kampion me Partizanin sezonin e fundit në Superiore, ka folur për këtë lëvizje të bërë në një lidhje direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport 1.

“Në Jordani më ka dërguar menaxheri dhe miku im, Ilir Halili. Në Shqipëri ekipet i bëjnë vetë të gjitha, kontaktet me lojtarët dhe gjithçka tjetër. Kam ardhur në një ekip kampion dhe me shumë histori. Firmën e kam hedhur në letër përpara dy ditësh”, shprehet Gega.

Sigurisht ai është ngacmuar gjatë emisionit, nëse do të merrte ndonjë lojtar shqiptar tek Al Faisaly. “Nëse do të duhet, duke parë edhe nevojat në klubin e ri, do të merrja çdo lojtar shqiptar që e meriton për ta sjellë këtu”, shtoi Gega.

Sërish Kukësi dhe trajneri nuk mban mëri e as nuk i konsideron armiq verilindorët, që për të dytën herë bisedojnë me të dhe në fund vendosin t’ia besojnë dikujt tjetër pankinën. “Njeriu mëson kur kalon një moshë, nuk dua t’i kthehem gjërave. U ula me Nexhipin dhe Gjicin, ata morën vendimin e tyre dhe shpresoj t’u eci mbarë. Nuk kam asnjë armik në Shqipëri”, përfundon Gega. /abcnews.al