Gega: Përpara titujve, kam premtuar disiplinë

schedule16:29 - 27 Tetor, 2018

schedule 16:29 - 27 Tetor, 2018

Partizani vlerëson disiplinën më shumë edhe sesa fitoren e titujve. Trajneri Skënder Gega dha një mesazh për lojtarët e tij, në prag të ndeshjes ndaj Skënderbeut për Superligën.

Mendon se vendi i parë është arritur kështu. Trajneri Skënder Gega është i bindur se rregullat dhe disiplina kanë qenë po kaq të rëndësishme sa cilësia sportive në kryesimin që Partizani ka në Superligë këtë sezon. Pikërisht para ndeshjes së të hënës ndaj Skënderbeut, kryeqytetasit u përballën me krizën e parë të disiplinës, dënimin e kapitenit Lorenc Trashi, pas një veprimi protestues ndaj trajnerit. Gega, si përpara çdo ndeshjeje, u duk shumë i qetë.

“Nga momenti i parë që kam ardhur si trjaner, në momentin që jam prezantuar nuk kam premtuar as kupa, as kampionate, por kam premtuar vetëm një gjë, që gjërat do të funksionojnë me rregulla. Unë nuk e kisha parashikuar që do ishim në vend të parë. Unë aq më tepër i dhashë edhe besimin për t’u bërë kapiten. Në një moment harroi që është kapiten. Për momentin që gaboi, klubi dhe unë personalisht mendoj që duhet të mbajmë qëndrim dhe kemi mbajtur qëndrim”, tha Gega.

Gjithsesi, parimi i Gegës është “edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”, pra për të mos kaluar masën.

“Trashi nuk ka ku të rikthehet sepse nuk ikur. Ai është me ne. Është stërvitur i distancuar sepse ka pasur problemet e veta se që në muajin Qershor nuk ka pushuar asnjë minutë. I kemi dhënë kohën për të reflektuar, ka kërkuar edhe ndjesë para ekipit edhe klubit. Çdo gjë do shkojë shumë mirë dhe besoj se shumë shpejt do të jetë me grupin”, tha trajneri Gega.

Partizani mban vendin e parë në Superligë me 22 pikë ndaj 22 të Skënderbeut, ndërsa pret kampionët në “Selman Stërmasi”. Gega beson se shanset janë që ndeshja të kalohet me sukses, edhe pse thekson se është një sfidë që vlen tri pikë, si gjithë të tjerat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!