Jasir Asani vazhdon të thumbojë në distancë trajnerin Franco Lerda. Dyshja e Partizanit dukshëm nuk kanë raporte të mira me njëri-tjetrin dhe që në momentin kur Lerda mori drejtimin e “Demave” në verë, Asani e ka humbur vendin e titullarit.
Kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga Jasir Asani dhe njerëzit pranë tij. Disa kohë më parë, agjenti i lojtarit, Aleksandar Jovkov, sulmoi hapur Franco Lerdën, duke shkruar në Instagramin e tij zyrtar: “Franko Lerda, të jam mirënjohës për gjithçka që bëre për Asanin, për 30-40 minuta gjatë ndeshjes. Ai ishte një nga liderët e Partizanit, të cilët u shpallën kampionë, pa ty në krye të pankinës. Shpresoj ta kesh kuptuar se ke shkatërruar gjithçka që u ndërtua me shpirt e zemër. Të lumtë!”
Ndërsa pak çaste më parë, një mik i Asanit ka shpërndarë një story në Instagramin e tij, duke sulmuar në mënyrë indirekte Lerdën. Në mbishkrim, shkruhej: “Ai dinte si t’i përdorte asat”, referuar trajnerit Gega. Ky postim është “aprovuar” edhe nga vetë Asani, i cili i ka bërë re-share këtij postimi. Pritet një “tërheqje veshi” nga Partizani për numrin 10./abcnews.al