Gazsjellësi rus, sikleti më i madh i politikës së jashtme gjermane

schedule17:42 - 3 Shkurt, 2021

schedule 17:42 - 3 Shkurt, 2021

Nga Mathieu von Rohr, Der Spiegel

Sa mund t’i vlejë qeverisë gjermane një gazsjellës që vjen nga Rusia? A ia vlen të sakrifikosh për të të gjithë prestigjin e politikës së jashtme gjermane? A ia vlen aq shumë sa t`a izolosh vendin brenda Bashkimit Evropian, dhe të tensionosh marrëdhëniet me presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden?

Si mund të përputhet ai me synimet klimatike të Gjermanisë? Dhe pse duhet që qeveria gjermane të mbështesë një gazsjellës nga i i cili përfiton nga regjimi rus, politikat e të cilit Berlini i kundërshton? Për vite me radhë, qeveria gjermane e ka mbështetur këtë projekt të dyshimtë dhe të gabuar në aspektin ekonomik dhe atë politik.

Ai ishte një ide e presidentit rus Vladimir Putin dhe mikut të tij, ish-kancelarit Gerhard Schröder. Sa më e madhe që ka qenë rezistenca e Evropës ndaj këtij projekti, aq më kokëfortësi ka shfaqur qeveria gjermane në përkrahjen e tij.

Është gjithnjë e më e vështirë të gjesh ndonjë shpjegim tjetër për këtë sjellje përveç krenarisë. Dhe kjo pavarësisht nga problemi më i madh dhe më thelbësor, me të cilën përballet Berlini:A mundet qeveria gjermane të arrijë synimin e vet-shpallur për të marrë një rol më të rëndësishëm në politikën globale?

Sjellja e saj e deritanishme ndaj projektit të gazsjellësit“Nord Stream 2”, sugjeron të kundërtën. Në fakt ky gazsjellës është bërë problemi më i sikletshëm i politikës së jashtme të Gjermanisë. Që në fillim, pretendimi i Berlinit se “Nord Stream 2” ishte një projekt thjesht ekonomik dhe aspak politik, ka qenë hipokrit.

Gazsjellësit janë gjithmonë projekte politike. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për këtë gazsjellës, pasi “Nord Stream 2” do të transportojë gazin natyror direkt nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik. Kjo do t’i japë mundësi kompaninë shtetërore ruse “Gazprom” që të anashkalojë gazsjellësit në Bjellorusi dhe Ukrainë, duke i bërë këto të fundit edhe më të varura nga Rusia, pasi do të humbin fondet që fitonin nga tarifat e kalimit tranzit të gazit. Gjithashtu, gazsjellësi do të siguronte një burim shtesë të valutës së huaj për qeverinë ruse.

Kjo gjë bie ndesh me frymën e sanksioneve të Evropës kundër një regjimi që për vite me radhë e ka treguar veten si një kundërshtar të hapur të Bashkimit Evropian, dhe që ka helmuar dhe burgosur figurën kryesore të opozitës ruse Alexei Navalny.

Argumenti kryesor i përdorur vitet e fundit nga mbështetësit e projektit, kanë qenë sanksionet e Donald Trumpit dhe SHBA-së kundër tij. “Ne nuk do t’i lejojmë amerikanët të na diktojnë se ku e blejmë gazin tonë!”-thonë ata.

Por Donald Trump tani është larguar nga detyra, dhe amerikanët nuk janë aspak të vetmit që kundërshtojnë ndërtimin e këtij gazsjellësi. Në fakt, argumenti ndoshta më i fortë kundër “Nord Stream 2” nuk ka të bëjë as me SHBA-në. Ky gazsjellës është në thelb një projekt anti-evropian.

Dhe qeveria gjermane po izolohet gjithnjë e më shumë në BE për shkak të kësaj çështje. Gati çdo vend i Evropës Lindore është kundër këtij projekti, sidomos Polonia dhe vendet baltike. Projekti siguron një shkas për kritikët që e shohin Gjermaninë si një vend hegjemon me dy fytyra, që nga njëra anë flet për vlerat evropiane, ndërsa nga ana tjetër promovon interesat e veta.

Muajin e kaluar, Parlamenti Evropian votoi sërish kundër këtij gazsjellësi. Kritika ka pasur edhe nga Komisioni Evropian, që dëshiron t`a zvogëlojë varësinë nga vendet individuale. Edhe Parisi po shpreh skepticizëm. Nga ana tjetër, gazsjellësi nuk ofron ndonjë përfitim të qartë ekonomik. Ai e dyfishon kapacitetin e furnizimit me gaz nga Rusia, por konsumi i tij në Perëndim është duke mbetur në nivele të njëjta,dhe që Gjermania të përmbushë angazhimet e saj për mbrojtjen e klimës,do të duhet të bjerë ndjeshëm konsumi i tij nga mesi i këtij shekulli.

Gazsjellësit ekzistues janë të mjaftueshëm. Rusia po flet tani për pompimin nga ky gazsjellës të hidrogjenit miqësor me klimën. Por këto perspektiva janë të pasigurta dhe nuk ndryshojnë asgjë në lidhje me dilemën politike.

Sigurisht, kompanitë private të përfshira tani mund të përpiqen të përfundojnë ndërtimin e kilometrave të fundit të tubacionit, me gjithë sanksionet e SHBA-së. Tek e fundit ata kanë investuar miliarda. Por shkalla në të cilën disa politikanë në Gjermani -sidomos ata brenda Partisë Socialdemokrate të qendrës së majtë të drejtuar dikur nga Schröder – në mbështetje të këtij projektit ka qenë e frikshme.

Manuela Schëesig, guvernatorja e SPD-së së në landin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, ku ndodhet edhe terminali i “Nord Stream 2”, ka ngritur madje një fondacion për mbrojtjen e mjedisit për t`a përfunduar sa më shpejt projektin pavarësisht sanksioneve të SHBA-së.

Një hije e tillë është e dëmshme për pozitën ndërkombëtare të Gjermanisë. Qeveria gjermane është izoluar shumë me mbështetjen e këtij projekti, dhe kjo mund të shpjegohet vetëm me egoizmin ekonomik apo naivitetin politik, por tek e fundit është një plagë e vetë-shkaktuar.

Megjithatë, ka ardhur koha që të bëhet një zgjedhje e qartë, që nuk e lidh vendin me gazsjellësin.

“Nord Stream 2” duhet të ndalet. Do të ishte më mirë që të heqim dorë prej tij që tani, sesa të bartim kostot politike dhe ekonomike pas përfundimit të tij. Angela Merkel duhet të heqë dorë nga mbështetja për këtë projekt, edhe nëse kjo mund të nënkuptojë kompensimin financiar të kompanive të përfshira.

Kjo do të jetë e dhimbshme politikisht, por qeveria gjermane duhet t`a shohë braktisjen e këtij projekti si heqje dorë nga gabimet që ka bërë, dhe si një leksion për të ardhmen. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!