Gazsjellësi, Haradinaj: Kurti “shkurtpamës” dhe sabotues të orientimit perëndimor të Kosovës

schedule12:55 - 23 Tetor, 2021

schedule 12:55 - 23 Tetor, 2021

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së përbashkët të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqia për çështjen e bashkëpunimit në shumë fusha, përfshirë atë të  energjetikës.

Në këtë deklaratë gjithashtu është përmendur edhe integrimi euroatlantik i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook duke marrë shkas nga një deklaratë e tillë, ka bërë thirrje dhe një herë Qeverisë Kurti që të shqyrtojë edhe një herë çështjen e gazsjellësit.

Ndër të tjera kreu i AAK-së thotë se nuk është vetëm çështje gypash.

“E vlerësoj lart qëndrimin e përbashkët të qeverive të SHBA dhe Greqisë për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, ku në mënyrë të veçantë specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazjellësi amerikan, e që është i një rëndësie të jetike për ne si shtet i ri.

Kjo na obligon që t’i kryejmë detyrat tona që rrugën e integrimit ta bëjmë sa më të lehtë e sa më të shkurtër.

Kjo nënkupton poashtu që Kosova të mbështes të gjitha projektet që e afrojnë Kosovën sa më afër BE-së e NATO-s, duke përfshirë këtu edhe gazsjellësin amerikan, projekt ky i një rëndësie strategjike dhe ekonomike, që do të garantonte edhe sigurinë energjetike të vendit tonë. Justifikimet banale të qeverisë së Kosovës për refuzimin e këtij projekti, se kjo është “çështje e disa gypave”, janë jo vetëm shkurtpamëse, por edhe sabotim i orientimeve properëndimore e euroatlantike të Kosovës.

Prandaj i bëj thirrje edhe një herë qeverisë së vendit tim që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës!”, shkruan Haradinaj./abcnews.al