Gazment Bardhi: PS bojkotoi Komisionin Hetimor për masakrën zgjedhore

schedule15:33 - 20 Tetor, 2021

schedule 15:33 - 20 Tetor, 2021

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi bën me dije se PS ka bojkotuar mbledhjen e Komisionit Hetimor, i ngritur për zgjedhjet e 25 prillit.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan mes të tjerash se edhe pse socialistët kërkuan vetë që mbledhja e Komisionit të vijonte në datën 20, sot zgjodhën bojkotin.

“Bojkoti i Komisionit Hetimor për masakrën zgjedhore të 25 Prillit nga anëtarët e Partisë Socialiste është dëshmi e qartë e papërgjegjshmërisë së tyre në raport me interesin e qytetarëve. Edhe pse kërkuar vetë që mbledhja e Komisionit të vijonte në datën 20, sot zgjodhën bojkotin. Është e qartë që ato që vodhën zgjedhjet, përdorën krimin dhe paratë e korrupsionit për të blerë vota, që përdorën shtetin në zgjedhje, nuk kanë interes për të faktuar masakrën zgjedhore. Opozitën nuk e pengojnë dot në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të saj për hetimin parlamentar të masakrës zgjedhore të 25 Prillit,” shprehet Bardhi.

Sakaq, kryetari Enkelejd Alibeaj ngarkoi Sekretariatin Teknik të këtij komisioni të njoftojë anëtarët se mbledhja e ardhshme e komisionit hetimor do të zhvillohet më datën 22 tetor 2021, ora 10:00.

Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit u ngrit me kërkesë të Partisë Demokratike. Ky komision, ka afat tre muaj për të bërë hetime për zgjedhjet që u fituan nga socialistët, të cilat opozita i ka cilësuar si masakër elektorale. g.v/abcnews.al