Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mbrojti me këmbëngulje politikat e emigracionit që qeveria e tij ka ndjekur gjatë një debati me një gazetare holandeze. Gazetarja e akuzoi kryeministrin për politika abuzimi narciste gjatë një konferencë për shtyp me kryeministrin holandez në Athinë.
“Kryeministri Mitsotakis, do të ndaloni së gënjyeri. Gënjeshtra për kthimet, gënjeshtra për atë që po ndodh me refugjatët në Greqi?”
Këto ishin disa nga pyetjet që gazetarja holandeze Ingeborg Beugel shtroi pas deklaratave të përbashkëta të Mitsotakis dhe Mark Rutte.
— Cevheri Güven (@cevheriguven) November 9, 2021
Beugel po u referohej akuzave nga grupet dhe organizatat e të drejtave të njeriut, përfshirë agjencinë e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, se Greqia po i shtyn në mënyrë të paligjshme azilkërkuesit të kthehen në Turqi në kufijtë e saj tokësorë dhe detarë, një praktikë që Greqia e mohon.
“Ka pasur prova të forta dhe ju vazhdoni të mohoni dhe gënjeni. Ky është si abuzim narcisist. Pse nuk tregoheni i sinqertë? Pse nuk thoni “Brukseli na la vetëm, ne pritëm gjashtë vjet, askush nuk bëri asgjë … Tani kam të drejtën e fjalës dhe po, bëjmë kthime barbare e mizore të emigrantëve.”
Mitsotakis, partia e qendrës së djathtë Demokracia e Re e të cilit erdhi në pushtet në vitin 2019, mbrojti politikat e tij të emigracionit, duke i cilësuar si “të ashpra por të drejta” ndërsa shtoi se Greqia ka shpëtuar qindra njerëz në det që nga viti 2015, kur ishte në vijën e parë sa i përket krizës së emigracionit në Evropë.
“Unë e kuptoj se në Holandë ju keni një kulturë për t’u bërë pyetje të drejtpërdrejta politikanëve, të cilën unë e respektoj shumë,” tha ai. “Ajo që nuk do të pranoj është që në këtë zyrë të më ofendoni mua apo popullin grek me akuza dhe shprehje që nuk mbështeten me fakte materiale”. /abcnews.al/