Gazetarët njihen për herë të parë me “regjinë” ku do ndjekin komisionet, Gjonçaj jep sqarime

schedule12:34 - 11 Qershor, 2021

schedule 12:34 - 11 Qershor, 2021

Salla e gazetarëve për të ndjekur komisionet parlamentare nga muaji shtator do i ngjajë një salle regjie në redaksitë e televizioneve ku do jenë të vendosura disa kompjuterë dhe përballë do kenë ekranet që transmetojnë mbledhjet e xhiruara me kamerat e institucionit.

Në takimin e sotëm me gazetarët, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjonçaj prezantoi platformën e re të miratuar nga Byroja e Kuvendit e cila u kundërshtua nga gazetarët e terrenit.

Ata ngritën shqetësimin se duke qenë të mbyllur në një sallë nuk do kenë mundësi të ndjekin nga afër prapaskenat e mbledhjeve apo edhe incidenteve në korridoret e Kuvendit që në të shkuarën nuk kanë munguar dhe janë fiksuar pikërisht nga kamerat e televizioneve.

Gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj i drejtoi disa pyetje Gjonçajt në lidhje me disa precedentë të ndodhur në lidhje me këtë ndryshim të ri që nuk kanë marrë ende përgjigje. Mustafaraj iu referua rastit kur nga ana e stafit të Kuvendit u fshi deklarata e Mimi Kodhelit për abuzimin e 15-vjeçares në Tiranë si dhe kërkoi të dijë emrat e anëtarëve të Byrosë që kanë votuar pro vendimit për të larguar gazetarët nga Komisionet.

Gjonçaj u shpreh se në rastin e Mimi Kodhelit mbledhja nuk duhet të ishte transmetuar për mediat, duke e cilësuar këtë gabim të institucionit. Ndërkohë për votën e Byrosë, u shpreh se votimi është bërë në një mbledhje me dyer të mbyllura.

“Nuk është konferencë shtypi kjo. Nëse unë jam i vëmendshëm në ato që kam lexuar BE ka trajtuar çështjen e investimit. Ky është një investim me lekët e taksapaguesve europianë. Ne kemi marrë produktin final.

Filozofia është ajo që ju keni shqetësim: Pse ne do jemi tek salla poshtë. Nuk gënjen askush. Nuk është problem të shtojmë kompjuterat. Duke nisur nga fakti që kanë dalë shumë media në treg nuk është problem të shtojmë kompjuterat. Është zgjedhja jote pastaj nëse do ta ndjekësh në Komision apo do ta ndjekësh tek salla.

Jam i bindur që pas një viti do thuash sa mirë se do e ndjek te salla poshtë. Një rast ka ndodhur që nuk duhet të transmetohej fare sepse nuk hyn në protokollet e transmetimit online. Është bërë gabim dhe personi përgjegjës i është hequr vëmendja. Aty është bërë gabim dhe po e pranoj unë këtë gjë.

Është një rast i vetëm dhe në një aktivitet që nuk është i përcaktuar në rregulloren e aktiviteteve që transmetohen për publikun. Deputetë që votuan pro apo kundër në Byro nuk ka interes për takimin e sotëm. Do ta sigurojmë. Mbledhja e Byrosë është e mbyllur”, deklaroi ai. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!