Gazetarët në Turqi të shqetësuar nga ligji për mediat sociale: Autoritetet duan kontroll të madh

schedule19:06 - 30 Shtator, 2021

schedule 19:06 - 30 Shtator, 2021

Rregullimi me ligj i mediave sociale pritet të jetë në rendin e ditës të asamblesë kombëtare të Turqisë kur të mblidhet përsëri në tetor.

Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), e cila ka pushtetin në Turqi, po përgatit një projektligj për lajmet e rreme dhe dezinformatat në internet.

Detajet e propozimit nuk janë bërë publike, por zyrtarë të paidentifikuar të cituar nga mediat lokale kanë thënë se projektligji parashikon t’i bëjë “dezinformatat” dhe “keqinformimin” vepra penale dhe përfshin dënime me burg deri në pesë vjet për përhapjen e lajmeve të rreme në mediat sociale.

Projektligji gjithashtu parashikon krijimin e një organi të ngjashëm me rregullatorin aktual të mediave, Këshilli Suprem i Radios dhe Televizionit (RTÜK).

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka folur për rrezikun e lajmeve të rreme dhe dezinformatave në internet. Nënkryetari i partisë së tij Mahir Unal tha në mes të korrikut se partia e tij po shqyrtonte vendosjen e masave ligjore për këtë çështje, duke theksuar se “lufta ndaj dezinformatave është po aq e rëndësishme sa lufta kundër terrorizmit”.

Gazetarët dhe grupet e mediave kanë shprehur shqetësim rreth propozimit, duke bërë thirrje që autoritetet t’i bëjnë publike planet e tyre. Ata paralajmëruan se rregulloret e formuluara mund të përdoren për të persekutuar mediat për raportimet kritike ndaj qeverisë. Të tjerët cituan numrin e madh të padive të ngritura tashmë kundër përdoruesve të mediave sociale.

“Qeveria ka një zakon të çuditshëm”, tha Turgay Olcayto, duke shtuar se të gjithë ata që e kritikojnë atë shihen si “armiq”.

Presidenti i Shoqatës së Gazetarëve Turq i bëri këto komente në një konferencë shtypi të hënën, së bashku me katër sindikata të tjera të mediave dhe grupe të mbrojtes së të drejtave të njeriut për të shprehur kundërshtimin ndaj ligjit të propozuar.

Rregullimi me ligj i mediave në internet

Projekligji vjen një vit pas rregullave që vendosi Turqia për platformat e mediave sociale, duke përfshirë kërkesat që faqet e internetit të kenë një përfaqësues turk për të trajtuar pyetjet dhe afate për t’iu përgjigjur kërkesave për heqje të artikujve.

Në muajin e parë pas miratimit të atij ligji, një numër platformash në internet, përfshirë Facebook-un, Twitter-in dhe YouTube-in u gjobitën me 1.18 milionë dollarë për mosrespektimin e tij, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Turqia tashmë ka një histori negative të respektimit të lirisë së shtypit, duke u renditur “jo e lirë” në raportin e organizatës Freedom House mbi lirinë e medias në internet, me një rezultat prej 34 nga 100 pikët e mundshme. Raporti vjetor i organizatës Freedom House vlerëson vendet bazuar në një sërë faktorësh që lidhen me të drejtat dixhitale.

Analiza e saj më e fundit, e publikuar në shtator, përmend bllokimin e qindra faqeve të internetit dhe rregulloret e reja për platformat në internet si arsye për vlerësimin e dobët të Turqisë.

“Nuk kam nevojë të them asgjë për gjendjen e gazetarisë sonë”, tha zoti Olcayto. “(Partia në pushtet) thotë se ne do të parandalojmë manipulimin me lajmet e rreme. Si do ta parandaloni? Qeveria është ajo që manipulon dhe fsheh më së shumti lajmet “.

Gazetari Olcayto tha se ai nuk beson se parlamenti turk do ta miratojë projektligjin, por nëse ai do të bëhej ligj, “ne do të vazhdojmë të luftojmë”.

“Autoritetet duan kontroll më të madh mbi mediat sociale”, tha Ugur Guç, përfaqësues i Stambollit për Shoqatën e Gazetarëve Progresivë.

“Media ka qenë nën presion për një kohë të gjatë dhe 90% e saj ka qenë nën kontrollin e qeverisë”, tha Ugur Guç për Zërin e Amerikës në Turqi pas një konference për shtypin.

Mediat sociale ofruan më shumë liri, por mijëra padi janë ngritur kundër përdoruesve të mediave sociale pasi më shumë njerëz iu drejtuan internetit, shtoi zoti Guç.

“Vitin e fundit, të paktën 30,000 njerëz u hetuan dhe 5,000 të tjerë u dënuan. Bëhet fjalë për një numër të madh njerëzish”, tha ai, duke shtuar se ai beson se kjo fushatë ka për qëllim t’u mbyllë gojën kundërshtarëve të qeverisë.

Ugur Guç është përballur me kërcënime ligjore për punën e tij. Ai u akuzua për fyerje të institucioneve shtetërore në vitin 2019, por u shpall i pafajshëm një vit më vonë.

Presidenti Erdogan ka hedhur poshtë kritikat për gjendjen e lirisë së medias në Turqi, duke thënë se “Turqia është në mënyrë të pakrahasueshme e lirë”, në një intervistë me kanalin amerikan CBS të dielën.

Kur u pyet në lidhje me të dhënat që tregojnë se Turqia është vendi me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur dhe komentet nga avokatët që thonë se mijëra njerëz po përballen me padi për fyerje, presidenti tha: “Unë i njoh ato organizata të besueshme ndërkombëtare, që për mua nuk kanë asnjë meritë.”

Rregullatori i medias

Gazetarët janë të shqetësuar nga planet për të krijuar një rregullator të mediave sociale të ngjashëm me RTÜK-un. Organizata jofitimprurëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch paralajmëroi në vitin 2020 se rregullatori i Turqisë “po vendos sanksione ndëshkuese dhe joproporcionale” ndaj mediave që raportojnë në mënyrë kritike ndaj qeverisë.

Në një raport të organizatës Human Rights Watch thuhet se rregullatori vendosi më shumë se 40 sanksione ndaj shtatë stacioneve të pavarura dhe urdhëroi pezullimin e shtatë programeve në vitin 2020.

Gazetari Guç thotë se ai beson se qeveria do të përpiqet të krijojë një rregullator si RTÜK që mund të lëshojë dënime, ose të frikësojë përdoruesit e mediave sociale me kërcënime për dënime.

“Ata duan të bëjnë më shumë presion mbi njerëzit dhe t’i heshtin ata”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Turq, Adnan Özyalçıner, gjithashtu beson se projektligji është një përpjekje për ta venë në shënjestër shtypin kritik.

“Po merren masa kundër shtypit kritik me mjete arbitrare dhe administrative, jo me mjete ligjore. (Kjo është) një përpjekje për t’iu kundërvënë shtypit kritik”, tha zoti Özyalçıner për Zërin e Amerikës.

Ai ngriti shqetësimet mbi atë se kush do të vendoste se çfarë përmbajtje është e rreme dhe cilat kritere do të përdoreshin për këtë. “Unë mendoj se të gjitha lajmet kundër qeverisë do të shpallen” lajme të rreme””, shtoi ai.

Organizatat e gazetarëve kanë publikuar një propozim të përbashkët, duke rekomanduar që projektligji të ndahet me publikun, që gazetaria të mos kriminalizohet dhe liria e komunikimit dhe informacionit të mos kufizohet./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!