“Është nder, është privilegj. Akoma nuk e besoj faktin se unë do jem pjesë e kësaj shkolle”
Ermelinda Haka nuk e fsheh emocionin që shumë shpejt do të veshë uniformën ushtarake. Ajo do të studiojë Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fushën e Mbrojtjes. E reja nga Elbasani, është një nga maturantet fituese për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Për të nis një kapitull i ri, që nuk është thjeshtë shkollim, por një mision për t’i shërbyer atdheut. Ajo dhe bashkëmoshatarët e saj që nisin studimet ushtarake janë një yll i shtuar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
“Ushtria ka një rol të rëndësishëm si pjesë e NATO, pse jo mund të përfaqësoj vendin tim”
Mes Mjekësisë, dëshirës së prindërve dhe akademisë ushtarake, Ermelinda zgjodhi këtë të fundit.
“Vij nga një familje dëshmorësh, oficerësh, po ashtu edhe policësh”
Për të fituar të drejtën e studimit, Ermelinda ka kaluar edhe testin fizik.
“Thoja do ia dal dot apo jo, por nuk ishte shumë e vështirë”
Pandi Teka ka udhëtuar nga Përmeti, qyteti ku ka lindur dhe rritur për t’u regjistruar në fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Ai ka zgjedhur programin e shkencave ushtarake dhe jo rastësisht.
“Për shkak të një pune dhe disipline që kam bërë ndër vite, mendova se kjo është shkolla që më përshtatej.
Je marrë me sport?
-Po
Forcat e Armatosura kanë disiplinë të fortë, rutina e tij do të ndryshojë për t’ju përshtatur një bote me rregulla.
“Mendoj se do më mungojë liria, familja, shoqëria.
Sa gati ndihesh?
-100%
Më shumë të rinj treguan interes për të ndjekur studimet e larta ushtarake. Në Akademinë e Forcave të armatosura aplikuan 1634 maturantë, rreth 500 më shumë se vitin e kaluar. AFA është i vetmi institucion i arsimit të lartë ku studentet nuk paguajnë tarifë, por trajtohen me page mujore.
Fakulteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë ofron katër programe studimi.
Teknologji Informacioni në Fushën e Mbrojtjes, Shkenca Komunikimi në Fushën e Mbrojtjes, Shkenca Ushtarake dhe Marrëdhënie ndërkombëtare në Fushën e Mbrojtjes.
Në total janë 70 studentë që do të nisin vitin e ri akademik në vitin e parë.
Duke parë trendin e zhvillimeve teknologjike, IT me e kërkuara dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, e dyta.
Akademia e Forcave të Armatosura ka në thelb krijimin e lidershipit ushtarak që drejton me ndershmëri e dinjitet. Detyra, Nderi dhe Atdheu, janë tre elementë të panegociueshëm, mbi të cilën formohen oficerët e rinj, të cilët nuk zgjedhin thjeshtë një profesion, por misionin për t’i shërbyer vendit nën uniformë.

