Procesi i vaksinimit për personelin mjekësor do të nisë ditën e sotme edhe në Shkodër. Gazetari Simon Shkreli raporton për ABC se janë 1000 mjekë dhe infermierë në Shkodër që pritet të marrin vaksinën Pfizer. Procesi i vaksinimit do të zhvillohet në ambientet e godinës së klubit sportiv Vllaznia.
Prezent do të jetë edhe kreu i qeverisë Edi Rama. Me marrjen e njoftimit për vizitën e kryeministrit banorët e zonave të pëmbytura në Shkodër kanë thirrur një protestë, por janë penguar nga policia me argumentin se nuk lejohen grumbullimet në kohë pandemie.
Ndërkohë po sot janë bërë gati edhe ambientet e pallatit të Sportit në Vlorë ku pritet të nisë vaksinimi për personelin mjekësor.
Mbrëmë në Shqipëri mbërritën 7020 doza nga “Pfizer”, ndërsa ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi më herët se do të vijohet me qendrat e vaksinimit në Shkodër, më pas me Vlorën, ndërkohë që stafi i Durrësit, Elbasanit do të vaksinohen në Tiranë./mv.abcnews.al