Gasperini me COVID-19: Nuk flija gjumë, kuptohet nga fotot se isha infektuar

schedule11:58 - 31 Maj, 2020

schedule 11:58 - 31 Maj, 2020

Gian Piero Gasperini është një nga të prekurit me COVID-19. Trajneri i Atalanta e ka zbuluar diçka të tillë në një intervistë të gjatë për Gazzetta Dello Sport, ndërkohë që tregon se ishte ndjerë keq që para ndeshjes së Champions League, kundër Valencia. Ajo përballje bëri që edhe virusi i ri të përhapej dhe të shkaktonte shumë viktima.

“U ndjeva keq një ditë para ndeshjes me Valencian. Pasditen e ndeshjes isha edhe më keq. Nëse i shikoni fotografitë, nuk dukesha mirë në pankinë. Ishte 10 mars atëherë. Dy net më pas nuk flija mirë. Ethe nuk kisha. Çdo dy minuta kalonte një ambulancë, pasi ishte një spital pranë kompleksit stërvitor.

Dukej sikur të ishe në një zonë lufte. Natën mendoja se çfarë do të ndodhte me mua nëse do të shkoja në spital. ‘Nuk mund të shkoj tani, kam ende shumë për të bërë’. Ishte një shaka që bëja me veten, për të lehtësuar gjendjen shpirtërore, por nga ana tjetër me të vërtetë e mendoja këtë”, rrëfen tekniku italian.

Gasperini më tej shton: “Qëndrova në qendrën stërvitore për tre javë. Ku r u ktheva në shtëpinë time në Torino, gjithmonë respektoja distancimin social me gruan dhe fëmijës. Ethe nuk kisha kurrë, tamponin nuk e bëra. Para 10 ditësh analizat e gjakut konfirmuan se kisha pasur COVID-19. I kam antitrupat, por kjo nuk do të thotë që tani jam imun”.

Bergamo ka qenë një nga zonat e prekura nga koronavirusi dhe Gasperini tregon si ndihet. “Do duhen vite të kuptojmë çfarë ndodhi realisht, sepse këtu ishte qendra e tragjedisë. Sa herë që mendoj për këtë, përjetoj ndjenja absurde: kulmi i gëzimit sportiv përkoi me dëshpërimin e thellë të këtij qyteti”.

Shumë tifozë mendojnë se kampionati nuk duhet të rifillonte, kurse Gasperini mendon se futbolli do e ndihmojë qytetin. “E kemi pyetur veten disa herë, por disa mund ta quajnë amorale, disa të tjerë e shohin si veprim instiktiv për të përqafuar jetën dhe për të reaguar ndaj vdekjes.

Atalanta mund ta ndihmojë Bergamon të çohet në këmbët e veta, duke respektuar dhimbjet dhe vajtimin e të gjithëve. Do të duhet kohë që të shohim përsëri skenat e gëzimit në shesh ose në aeroport. Kjo skuadër mbeti e lidhur me vuajtjes e Bergamos, asnjë nga lojtarët nuk u largua nga qyteti gjatë bllokimit, dhe do ta përfaqësojnë Bergamon në fushë”. /abcnews.al