Gian Piero Gasperini ka keqardhje për golin e shpejtë të pësuar kundër Milanit, si dhe për rastet që kishin më pas për të barazuar. Gjithsesi ai pranon se kuqezinjtë janë një skuadër e fortë dhe madje i vlerëson shumë për paraqitjen e bërë në Bergamo.
“Pa asnjë dyshim goli 30 sekonda pasi nisi ndeshja dhe një tjetër para fundit të pjesës së parë ishin goditje për ne. Midis atyre dy golave kishim mundësinë të barazonim. Besimi ynë u trondit më pas dhe Milani nga ana tjëtër ishte në formë të shkëlqyer dhe gjithçka e bëri si duhet.
Ishim pa fat në disa situata, për shembull te dëmtimi i Pessina. Krijuam shanse dhe nuk i finalizuam, por edhe portieri i Milanit bëri pritje të mira. Kundër Interit ishte një ndeshje më e balancuar, kurse këtë herë u ndikua ndeshja nga goli i shpejtë.
Pashë një Milan shumë të fortë, të shpejtë dhe me karakteristika që nuk i shihni gjithmonë në Itali. Çdo ndeshje ka një histori ndryshe, por ky Milan me të vërtetë më bëri shumë përshtypje”, u shpreh Gasperini për DAZN. / abcnews.al