Gasperini: Atalanta ime si kombëtarja e Italisë, besojmë te kualifikimi

schedule18:34 - 11 Gusht, 2020

schedule 18:34 - 11 Gusht, 2020

Atalanta do të zhvillojë nesër në mbrëmje (21:00) ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj 112-vjeçare. Ekipi italian do të sfidojë milionerët e PSG në çerekfinalet e Champions League. Tifozët ëndërrojnë kalimin në katër skuadrat më të mirë të Evropës dhe gjithë Italia beson te forca dhe futbolli i Atalantës.

Djemtë e Gian Piero Gasperinit, që do të japin gjithçka në “Estadio da Luz” për të fituar, janë i vetmi ekip italian që ka mbetur në kompeticionin më të rëndësishëm për klube dhe trajneri prek disa tema në konferencën e zakonshme për shtyp.

Ndeshja po afron dhe adrenalina po rritet. Nuk kemi luajtur kurrë më parë në këtë stadium të jashtëzakonshëm, mëkat që nuk do të ketë tifozë. Na vjen keq që jemi skuadra e vetme italiane, mendonim se Juventusi do kualifikohej.

Napoli zhvilloi një ndeshje të mirë, por nuk ishte aspak e lehtë kundër Barcelonës. Kemi mbetur vetëm ne dhe do të përpiqemi të paraqitemi shumë mirë. Ne kemi luajtur shumë ndeshje, kundërshtarët tanë kanë zhvilluar vetëm dy finalet e kupës.

 

Papu Gomez dhe Berat Djimsiti

PSG? Janë një skuadër e madhe, që dominon prej vitesh futbollin francez. Ne kemi kapërcyer skuadra të vështira, ndeshja ndaj PSG është e komplikuar, por kemi shumë besim se do të bëjmë mirë. Dimë që nuk do të luaje Di Maria, pasi është i pezulluar.

Ne na mungojnë Ilicic dhe Gollini. Sa i përket Mbappe dhe Verrattit, të shohim nesër. Kanë akoma mundësi për të luajtur. Kënaqësi e madhe që po luajmë në këto nivele, por duhet të përqendrohemi vetëm te ndeshja e nesërme.

Kënaqësia rritet nëse kualifikohemi. Kemi pasur edhe fat, si në rastin e barazimit midis Dinamo Zagreb dhe Shakhtar Donetsk, por ia dolëm të barazonim me Cityn dhe të fitonim ndeshjet e fundit në grupe. Mos të harrojmë që kemi mposhtur dy herë edhe Valencian.

Gjithë Italia do të bëjë tifo për ne? Kjo është diçka shumë e bukur. Do të jemi pak a shumë si kombëtarja, uroj të bëjmë mirë dhe shpresoj të… na shtyhen pushimet“, përfundon trajneri i Atalantës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!