Afrim Gashi, kryetar i Lëvizjes Besa, ka deklaruar se situata e krijuar pas referendumit në Maqedoni mund të tejkalohet me konsensus politik nëse palët kanë vullnetin e duhur. Sa i takon akuzave se Lëvizja Besa ndikoi në dështimin e referendumit, të bëra nga ministri i Jashtëm grek, Gashi ka theksuar se diplomacia greke është e keqinformuar.
Kreu i njërit krah të Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, thotë se tensionet e krijuara pas referedumit të së dielës mund të tejkalohen me arritjen e një kompromisi midis forcave politike.
Afrim Gashi: “Unë besoj se zgjidhja më e mirë për momentin është që marrëveshja të votohet me dy të tretat në Parlament. Të ulemi si liderë, si përfaqësuesit e pushtetit dhe të opozitës, dhe të merremi vesh. Jemi mandatuar nga populli, kemi numrat, të gjejmë zgjidhjen”.
Për dallim nga krerët e partive tjera opozitare shqiptare Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa krahu i Kasamit, Gashi shprehet se ndryshimi i kushtetutës në kuvend nuk duhet të kushtëzohet edhe me përfilljen e kërkesave shqiptare.
Afrim Gashi: “Nuk jam për ndryshime kozmetike sa i përket çështjes shqiptare, por për ndryshime rrënjësore, konsensuale, që të merremi vesh se këtë shtet mund ta bëjmë këtu, me këto parametra, me këtë sistem. Ndryshe jo vetëm nuk e nderojmë palën shqiptare, por procesin e rëndësishëm për vendin”.
Duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë geke Nikos Kotzias dhënë televizionit shtetëror grek, i cili kishte veçuar rolin e partisë Besa, në pjesëmarrjen e ulët të votuesve në referendumin e së dielës, kreu i njërit krah të Lëvizjes Besa, Afrim Gashi tha se diplomacia greke ka qenë e keqinformuar./abcnews.al