“Z.Bardhi erdhi në Fier si i madhi Gaz Bardhi, dhe iku si Mbas Gardhi”- Deklarata e deputetit të PS, Erjo Mile në seancë plenare.
Nuk është thjesht metaforë, por ajo çfarë evidentoi pak ditë më parë deputeti i ri nga Fieri, është në fakt bën në politikë Gazment Bardhi prej 5 vitesh.
Duke nisur nga dita e fundit. Në mbledhjen e këshillit të mandateve, rregullores dhe imunitetit, Gazment Bardhi ishte burimi që citonte fjalët e prokurorëve.
Deri te pretendimi se prokurorët kishin deklaruar se krimi i organizuar kishte kërcënuar dëshmitarë në favor të Belinda Ballukut.
“Siç u shprehën edhe prokurorët për persona të përfshirë në krimin e organizuar, apo jo, kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen Balluku” – tha Bardhi në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, një ditë më parë.
Por deklaratën që Bardhi pretendon ta ketë thënë prokurori Dritan Prençi, SPAK e përgënjeshtroi nëpërmjet Top Channel.
E dyta, imuniteti. Në kohën kur SPAK kërkonte heqjen e imunitetit të kryetarit të PD, Sali Berishës, Gazment Bardhi pas miratimit në Kuvend, ishte kundër.
“Vendimi antikushtetues i Kuvendit, ndaj Sali Berishës, miratuar vetëm me votat e Edi Ramës pa arsyetim dhe pa prova, është akt i mirëfilltë politik. Shpërfillja e Kushtetutës dhe ligjit në rastin konkret, është standardi më i keq i vendosur në një shoqëri demokratike”, – shkruante Bardhi në një postim të tij në rrjete sociale më 21 dhjetor 2023.
Dy vite më pas, kur SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të zv/kryeministres socialiste, Belinda Balluku, Bardhi pa u shqyrtuar çështja solli raportin pro për t’i hequr imunitetin.
“Pra ata nuk ishin të gatshëm, kështu u shprehën që të votonin pro kërkesës për dhënien e autorizimit nga prokuroria” tha Bardhi në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Mandateve.
E treta, kapërcimet gardh më gardh në PD. Gazment Bardhi nisi karrierën e tij në politikë si këshilltar i grupit parlamentar, e më pas falë Lulzim Bashës, si Sekretar i Përgjithshëm.
Në vitin 2021, ai u katapultua drejtues politik në Elbasan. Veç humbjes, Bardhi aty la dhe një viktimë, socialistin Pjerin Xhuvani. Një vrasje, që kumboi më fort pas përçarjes në PD.
“Gazment Bardhi Lufton për të shpëtuar shpirtin e tij. Unë e kuptoj, luftën që bën për të shpëtuar shpirtin, por prap është i pashpresë. Të zbardhë njëherë rolin e tij në vrasjen në Elbasan”, shprehej Berisha.
Me përjashtimin e Sali Berishës nga PD, Bardhi u rreshtua krah Lulzim Bashës, duke nisur edhe një betejë të tij ndaj Sali Berishës. Ai madje vuri edhe një bast me veten.
“Nëse Sali Berisha do të jetë kryetar i PD apo kandidat për kryeministër, unë mbyll karrierën politike” shprehej Bardhi.
Beteja me doktorin shkoi edhe më thellë. Nuk quhej më Sali Berisha, por babi i Xenit, jo më kryetar, por non grata, jo më lavde, por llogari për viktimat e Gërdecit. Përfshi edhe një akuzë ndaj Flamur Nokës për një vilë 760 mijë euro në Lalëz, për të cilën sot Noka është nën hetim pasuror nga SPAK. Në betejën e Rithemelimit, Bardhi akuzoi Berishën për lidhje me krimin e organizuar, Suel Çelën.
“Unë nuk flas në telefon me Suel Çelën. E kam pasur përballë në fushatën e 25 prillit dhe sot Suel Çela punon për Berishën. Nuk jam marrë unë. Dhe sot ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim.E di edhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh” – shprehej Bardhi në nëntor 2021.
Pas Kuvendit të Rithemelimit, bashkë me një padi në SPAK kërkoi llogari edhe për financimin e saj.
“Ftoj t’i kërkoni z.Berisha, që ju premtoi që shpenzimet dhe faturat e mitingut luksoz të 11 dhjetorit do ishin publike për opinionin. Madje do informonte qytetarët se kush ishin financuesit e mitingut luksoz të 11 dhjetorit” – deklaratë e Bardhit më 6 janar 2022.
Edhe më 8 janar, ndërsa mbështetësit e Berishës protestonin jashtë, Gazi ishte brenda. Edhe në betejën e vulës, Gazi nuk ishte në krahun e Berishës. Të gjitha faturat e kësaj lufte, edhe sot i kanë paguar dhe vijojnë t’i paguajnë demokratët.
Por kohët ndryshuan. Me të parë se shumica kaloi nga doktori dhe Rithemelimi, gardhin pavarësisht luftës e kaloi edhe Bardhi. Duke i çuar aty 20 deputetë, të cilët më vonë në zgjedhjet e 2025 as nuk do të ishin më në lista.
Bardhi u gradua pa votë, kryetar grupi parlamentar, nënkryetar dhe drejtues politik. Në betejën e fundit të Fierit, Bardhi solli humbjen më katastrofale të PD. Por mesa duket doktorit i vlen Bardhi, vetëm si humbës.
“Meqenëse po më pyet mua, Gazment Bardhi gjykoj se e ka kryer me dinjitet atë detyrë”, do të shprehej Berisha./abcnews.al


