Garancia sovrane për fasonët/ Shteti “del garant” në banka, vendos fondin total 4 miliard lekë

schedule15:03 - 10 Prill, 2024

schedule 15:03 - 10 Prill, 2024

Industria përpunuese ose siç njihet sektori fason tashmë mund të aplikojë për të përfituar kredi të favorshme.Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e  radhës detajet e garancisë shtetërore për këtë sektor.

Vlera e Garancisë prej 4 miliardë lekësh mbulon deri në masën 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, me një marzh jo më shumë se 1.5% mbi normën bazë. Ndërsa afati i shlyerjes parashikohet deri në 7 vite për kreditë për investim dhe deri në 3 vite për kreditë për blerje të lëndës së parë.

Instrumenti i Garancisë Shtetërore do të zbatohet përmes marrëveshjeve që do të lidhen me 11 bankat tregtare që operojnë në sistemin bankar, ku bizneset e sektorit të industrisë përpunuese do të kenë mundësi deri në fund të muajit tetor 2024 të aplikojnë pranë tyre për kredi me kushte lehtësuese, ndërsa deri në fund të këtij viti është caktuar afati përfundimtar për lidhjen e kontratave të kredisë.

Dobesimi i monedhës europiane e cila prej disa muajve qëndron në nivelin e 102 lekëve  preku eksportet e këtij sektori dhe nisur nga kjo qeveria alokoi një fond pas rishikimit të buxhetit prej 4 miliardë lekësh për ti adhur në ndihmë këtij sektori.

Instrumenti i garancisë shtetërore u mundëson bizneseve të industrisë përpunuese mbështetje financiare përmes kreditimit me kushte lehtësuese, në funksion të realizimit të investimeve për automatizimin e mëtejshëm të linjave të prodhimit,si edhe disponimit të likuiditetit për blerjen e lëndës së parë.

Me këtë mbështetje financiare synohet Garancia Shtetërore dhe mbështetja financiare për bizneset e këtij sektori synon mbështetjen në drejtim të përmirësimit dhe përditësimit të proceseve teknologjike, si edhe rritjes së nivelit të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së këtyre bizneseve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!