Numërimi mbrapsht ka nisur. Nga mbrëmja e së dielës, deri në atë të 12 majit, në “Arenën Kombëtare” do të luhen sfidat e “final four” që do të përcaktojnë edhe kampionin e ri të Shqipërisë.
Sipas renditjes përfundimtare të sezonit të rregullt, Egnatia, Vllaznia, Dinamo City dhe Partizani janë në garë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit në vend.
Por finalja e Kupës dhe triumfi I Dinamo City ndaj Egnatias, kampione në fuqi, ka ndryshuar hierarkinë e favoritëve.
Meritë e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, që ka rritur ndjeshëm kuotat e saj për t’u kthyer te titulli kampion pas 15 vitesh pritje.
Por më parë, dinamovitët duhet të kalojnë Vllazninë në gjysmëfinalen e së dielës.
Edhe shkodranët vijnë në këtë fazë finale të sezonit me urinë e madhe për trofeun e kampionit që iu mungon prej më shumë se dy dekadash.
Pavarësisht humbjes në finalen e Kupës, Egnatia mbetet favorite serioze për të mbrojtur trofeun.
Këto parashikime mbështeten te ecuiria në sezonin e rregullt, ku skuadra e Edlir Tetovës ishte më konstantja sidomos në pjesën e dytë të kampionit.
Formacioni nga Rrogozhina ka testin e parë në gjysmëfinalen e së hënës kundër Partizanit.
Të kuqtë e kryeqytetit siguruan pjesmarrjen në “final four” vetëm në ndeshjen e fundit, por kanë në krahë statistikat në gjashtë përballjet direkte që ka luajtur kundër Egnatias mes kampionatit dhe Kupës.