Partitë shqiptare kanë nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen në tetor të këtij viti.
Bajram Rexhepi kandidat për komunën Tetovë, nga BDI në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, foli për situatën politike në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë intervistës, ai u shpreh se situata politike në Maqedoninë e Veriut nuk është e mire dhe se ka një politike agresive anti-shqiptare.
Programi siç tha Rexhepi fokusohet në tre shtylla kryesore që janë, plani urbanistik, zhvillimi ekonomik si edhe vëmendje ndaj administratës publike.
Më tej, nënvizoi se sondazhet kanë treguar se Bashkimi Demokratik deri më tani kryeson.
“Situata politike në RMV nuk është e zakonshme dhe këto zgjedhje nuk janë të zakonshme. Kemi disa parti që janë dis-harmoni totale, të përbuzura dhe të nëpërkëmbura. Do jetë njëlloj referendumi dhe do të përcaktojë nëse shqiptarët do të pajtohen me këtë situatë. Në kemi paralajmëruar se po ndodh një kthim i madh pas, në kuptimin e zhbërjes së të drejtave të shqiptarëve. Ne do të përgatisim një program shumë të qasshëm dhe të bazuar në 3 shtylla, që do jetë riplanifikimi komplet i Tetovës në çdo kuptim të fjalës, e dyta do të jetë zhvillimi ekonomik i Tetovës dhe do mundësohet që të ketë njerëz që do jenë në shërbim që t’i ndihmojnë investitorëve dhe e treta të bëjmë një administratë efektive, digjitale, dhe qytetarët të kenë qasje që të shohin se si harxhohen paratë e tyre”, tha ai.
/abcnews.al/

