Gara për Kryeprokuror, KLP dështon sërish në vlerësimin e kandidatëve

schedule15:23 - 11 Tetor, 2019

schedule 15:23 - 11 Tetor, 2019

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dështuar sërish për miratimin e metodologjisë, që do të përdoret për vlerësimin e kandidatëve për prokuror të përgjithshëm. Peng procesin, po e mban një vendim i Apelit të Administratives që pritet për kandidatin Lulëzim Alushaj. Ndërkohë, KLP dhe KLGJ po shkelin ligjin për të drejtën e informimit duke i zhvilluar mbledhjet pa praninë e medias.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dështuar për të dytën herë për të miratuar metodologjinë e pikëzimit të kandidatëve për prokuror të Përgjithshëm. Qeveria e prokurorëve më herët ka miratuar rregulloren me 3 kriteret kryesore për vlerësimin e tyre.

Bëhet fjalë për kriterin profesional, atë moral, si dhe aftësinë organizative dhe drejtuese. Gjithashtu, KLP do të marrë parasysh për kandidatët, edhe elemente plotësues të vlerësimit, si titujt akademikë, trajnimet dhe gjuhët e huaja.

Në nisje të mbledhjes kryetari i këtij Këshilli, Gentian Ibrahimi, deklaroi se vazhdimin e fazës së dytë të intervistimit të 3 kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm e mban peng ankimimi në gjykatën Administrative të Apelit, i avokatit Lulëzim Alushaj.

Avokati u përjashtua nga gara, pasi sipas KLP nuk plotësonte 15 vite eksperiencë pune. Gjykata Administrative e Apelit do të shprehet më 16 tetor për këtë çështje.

Edhe në këtë mbledhje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shkeli ligjin për transparencën pasi seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Mbetet e paqartë së përse u kyçën dyert për mediat pasi në këtë seancë nuk do të diskutohej për të dhëna sekrete të tre kandidatëve në garën për kryeprokuror.

Pas përfundimit të mbledhjes,  anëtarët e qeverisë së prokurorëve nuk dhanë asnjë sqarim për problemet që konstatuan në metodologjinë e pikëzimit. Të njëjtin shembull si Këshilli i Partë i Prokurorisë duket se ka ndjekur edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i cili u mblodh këtë të premte pa njoftuar mediat.

“ABC News” ka siguruar axhendën e përcaktuar nga qeveria e gjyqtarëve, ku një nga pikat e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektvendimit për Metodologjinë e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve jogjyqtarë për në Gjykatën e Lartë.

E kontaktuar nga Abc News” zyra e shtypit e Këshillit të Lartë Gjyqësor refuzoi të japë informacion se çfarë u diskutua në mbledhjen e kësaj të Premteje./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!