TIRANË- Prokurori Elvin Gokaj, i cili synon drejtimin e SPAK shpalosi vizionin e tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai e parashtroi qasjen e tij në katër shtylla kryesore, e cila nis me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe me konsolidimin e institucionit.
“Kam eksperiencë 26-vjeçare në sistemin e drejtësisë. SPAK duhet të mbetet institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrugëtimi im ka nisur në vitin 1999. Kam hetuar çështje të zyrtarëve të lartë publikë. Kam hetuar çështje me rrezikshmëri të lartë. Ngritjen e akuzës e kam bazuar vetëm në prova dhe duke kërkuar masa në proporcianalitet me objektin e hetimit. Bashkëpunimi im do bazohet në grup.
Shtyllat e vizonit tim janë:
- Në luftën e pandërprerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
- Në konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe shtimin e kapaciteteve njerëzve me ekspertë nga fusha të ndryshme
- Në forcimi me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit organizuar dhe korrupsionit.
- Forcimin e besimit tek publiku.
Këto do përbejnë thelbin e qasjes time ndaj drejtimin e SPAK.Do forcoj më tej bashkëpunimin dhe koordinimin me europol, interpol, agjencitë partnere si FBI dhe DEA si dhe do rritet mbështetja për skuadrat e përbashkëta hetimore”, tha ai.
Drejtimi im do jetë vetvetja. Kam qenë mbi 10 vite drejtues në shumë rrethe të Shqipërisë. Unë do marr praktikat më të mira të kolegëve të mi paraardhës. Praktikat më të mira është puna në grup. Pavarësisht se struktura e posaçme ka 20 prokurorë, e vetmja gjë që mund të bëjë drejtuesi është që t’u rri në mbështetje prokurorëve. Nuk do ushtroj asnjë ndikim te prokurorët.
Pikat e mia të forta: puna, integriteti, mirënjohja ndaj njerëzve që punojnë dhe që derdhin djersën për këtë vend. Pika e dobët janë programet kompjuterike, të cilat kanë avancuar kohët e fundit, por me ndihmën e ekspertëve brenda strukturës do ta kalojmë këtë fazë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vijon të dëgjojë platformat e katër kandidatëve, të cilët kanë shprehur interesin për të t’u zgjedhur në krye të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Teksa listoi shtyllat e programit të tij, kandidati Elvin Gogaj u pyet për motivet, të cilat e kanë shtyrë për të garuar. Ai theksoi se vlerëson energjitë e tij aktuale dhe se dëshiron t’i shërbejë më shumë Shqipërisë.
Kush eshte Elvin Gokaj
Gjatë viteve 1994 – 1998, ka përfunduar studimet e larta të ciklit 4-vjeçar, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka marrë emërim si prokuror më 5 dhjetor 2000.
Detyrat që ka ushtruar:
2000-2007- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.
2007-2012- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
2013-2014- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
2014-2021- Prokuror dhe drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.
Nga 13 dhjetori 2021 dhe aktualisht, Gokaj mban detyrën e Prokurorit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

