Në orët e pasdites Presidenca njoftoi se Kreu i Shtetit Ilir Meta ka përzgjedhur emrin e anëtares së Gjykates Kushtetuese, Vitore Tusha, për t’ia propozuar Kuvendit për pozicionin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në rast miratimi, ajo do të pasojë në detyrë kreun aktual Bujar Leskaj, mandati i të cilit përfundon në 22 dhjetor 2018.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përzgjedhur emrin që do t’i propozojë Kuvendit të Republikës për pozicionin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Institucioni i Presidencës njoftoi të hënën se pas një procesi transparent dhe objektiv emri i zgjedhur në listën me 34 kandidatë ishte anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, njëkohësisht anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas presidencës, Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për tu zgjedhur në krye të KLSH.
“Duke zgjedhur një kandidaturë si znj.Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues”, thuhej në njoftimin e Presidencës.
Aktualisht Vitore Tusha është anëtare e Gjykatës Kushtetueses, por me mandat të përfunduar prej 10 marsit 2017. Ajo ka kaluar me sukses dhe me vendim të formës së prerë procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, i njohur si vettingu. Vitore Tusha ka një eksperiencë të gjatë në fushën e jurisprudencës, në sistemin gjyqësor, si edhe në angazhime akademike si pedaagoge në institucionet e arsimit të lartë në fushën e së drejtës, trajnuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës. Në rast miratimi nga ana e Kuvendit të Republikës, Tusha do të pasojë në detyrë kreun aktual të KLSH, Bujar Leskaj, mandati i të cilit përfundon në 22 dhjetor 2018. Mandati i kreut të KLSH është 7 vjeçar. /abcnews.al