23 kandidatë kanë shprehur interes për postin e Avokatit të Popullit.
Ndër emrat që spikat është ai i Endri Shabanit, i cili pas përplasjes me Lapajn për mandatin e deputetit, po kërkon të ulet në karrigen e avokatit të popullit.
Ndërsa interes për këtë post kanë shprehur edhe ish kryetarja e KPK, Genta Bungo, avokati Sajmir Vishaj, pedagogu i drejtësisë Ismail Tafani. Besim Ndregjoni ishte propozimi i PD legjislaturën e kaluar i cili do të këtë përballë edhe Adriana Kalanë, e cila thotë se ka mbështetjen e opozitës për postin e avokates së popullit.
Këto emra do ti kalojnë komisionit të Ligjeve, i cili do të bëjë vlerësimin e kandidaturave, dhe nga ku mazhoranca i shtriu dorën e bashkëpunimit opozitës për një emër konsensual, ndonëse vetë shumica ka 83 vota nga 84 që duhen për të zgjedhur avokatin e ri të popullit.
“Propozimi im në emër të grupit parlamentar të shumicës është që ajo që nuk ka ndodhur këto 3 vite të ndodhë tani: qoftë në komision, qoftë në Konferencën e Kryetarëve apo në një tryezë tjetër, si ta mendojë opozita, të ulemi dhe të zgjedhim Avokatin e ri të Popullit. Kandidatura për Avokat të Popullit duhet të përmbushë kriteret që përmenda dhe t’i japë këtij institucioni kredibilitetin institucional që i takon”, theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PS.
Balla la të hapur mundësinë e uljes në tryezë me opozitën dhe për rishikimin e strukturës së kuvendit dhe uljes së numrit të deputetëve por më parë do duhet që pakica të depozitojë në kuvend emrat për dy reformat e posaçme zgjedhore dhe territoriale.
“Të sjellin emrat për t’i miratuar ato ditën e enjte, nuk duhet humbur kohë as edhe një ditë. Kjo do të thotë se thirrja ime për dy bashkëkryetarët është që menjëherë pasi të kenë marrë detyrën, të mblidhen që ditën e premte dhe të fillojnë punën, përfshirë edhe të gjitha këto propozime. Ne, propozimet tona, siç thashë, propozimi i Kryetarit Rama për një Parlament me 101 anëtarë apo propozime të tjera të ngjashme, do t’ia dorëzojmë zyrtarisht komisionit”, tha Balla.
KANDIDATURA PËR AVOKAT TË POPULLIT
Genta Bungo – Ish kryetare e KPK
Sajmir Vishaj – Avokat
Shkelqim Sulo – Jurist
Ismail Tafani – Pedagog i drejtësisë
/abcnews.al

