Zlatan Ibrahimovic shënoi sërish në ndeshjen e fundit të Los Angelos Galaxy. “Gjiganti” suedez zhbllokoi shifrat në fitoren 2-1 kundër Montreal. Ky ishte goli i 27 për Ibrën në kampionat, dy më pak se kryesuesi Carlos Vela.
Tre ndeshje kanë mbetur deri në fund, por për bomberin e famshëm nuk ka asnjë lloj gare, pasi ai është lojtari më i mirë në MLS amerikane të futbollit.
“Unë jam më i miri i më të mirëve, kështu që nuk fokusohem në garën për të dalë golashënuesi më i mirë. Unë fokusohem te performancat e mia dhe dua të ndihmoj ekipin të fitojë. Ndodhemi në një situatë të mirë dhe duam të kualifikohemi në ndeshjet e ‘play-off’.
Nuk ka rëndësi fare për mua se kush fiton çmimet individuale. Gara për golashënuesin më të mirë nuk më lë pa gjumë natën”, përfundon Zlatan Ibrahimovic, njëkohësisht edhe kapiten i ekipit amerikan. /abcnews.al