Pablo Gallego nuk është se kujtohet shumë në vendin tonë, por në CV-në e tij është edhe Kastrioti, skuadër me të cilën ai u aktivizua dy ndeshje në Superiore. Spanjolli tani luan në Nikaragua, një nga vendet e pakta që ende nuk e ka pezulluar kampionatin.
Skuadra e tij, Managua, renditet në vendin e parë në klasifikim dhe synon titullin kampion. Në intervistën e dhënë për “El Mundo”, ai i rikthehet shkurtimisht eksperiencës në Shqipëri: “Shqipëria nuk më pëlqeu aspak, nuk qëndrova shumë sepse nuk isha i lumtur. Këtu në Nikaragua më duhet të jetoja në një periudhë, prill 2018, ku u bë një tentativë për grusht shteti”.

Tani bota është pushtuar nga COVID-19 dhe Gallego tregon se çfarë bën ai kësaj periudhe: “Po qëndroj në karantinë, pasi jam i vetëdijshëm për atë që po ndodh në Spanjë. Dal vetëm për të ngrënë, për të shkuar në dyqan dhe për t’u stërvitur. Ka disa masa. Pasi zbresim nga autobusi duhet të lajmë duart para se të hyjmë në ndërtesë.
Pjesa tjetër e zakoneve të përditshme vazhdon me normalitet të plotë. Ministria e Shëndetësisë këtu në Nikaragua ka fuqinë për ta pezulluar kampionatin, por ende nuk e ka barë. Janë ata që vendosin dhe ne jemi të detyruar t’i bindemi urdhrave të klubit tonë”.
Në fund ai flet edhe për familjen e tij, që ndodhet në Spanjë: “Vëllai im punon në spitalin e Huesca. Nëna ime është ende me gjyshërit e mi në Biescas dhe jam shumë i shqetësuar për ta. Sigurisht ata më thonë që të kthehem, por jam mjaftueshëm i rritur për të marrë vendimet e mia. Nëse do ta dija që në Spanjë do të isha më mirë, atëherë do të kthehesha”. / abcnews.al

