“Galaktikët” fitojnë mes polemikave, filojnë akuzat nga Almeria e Barcelona pas përmbysjes në La Liga

schedule11:36 - 22 Janar, 2024

schedule 11:36 - 22 Janar, 2024

Futbolli mbetet subjektiv, por askush nuk mund të thotë se kjo anon nga të vegjlit. Përballja e ligës spanjolle në “Santiago Bernabeu”, ku “Galaktikët” e Real Madrid arritën të fitonin 3 me 2, me përmbysje ndaj një rivali modest si Almeria, ishte një tjetër episod në diskutimin e përjetshëm.

Pasi miqtë morën një kryesim të merituar 2-0, me gola të shënuar nga Ramazan dhe Edgar Gonzales, madrilenët fituan penallti. Vendosi VAR-i për prekje me dorë, por sikur pati edhe shtyrje ndaj mbrojtësit!

Më pas, u anulua goli i miqve për një faull në nisje të aksionit. Edhe këtu vendosi teknologjia, por nuk mbaroi me kaq, sepse klubit “Los Blancos” iu dha një gol i shënuar në mënyrë të dyshimtë nga Vinicius. Me dorë apo me sup? Vështirë të përcaktohet, por siç e thamë më lart subjektivizmi anon nga të fuqishmit.

Trajneri i Almerisë, Garitano, i cili u përjashtua me karton të kuq, ishte tepër i zemëruar në konferencën për shtyp.

Tekniku bask deklaroi se “përjashtimi ishte i drejtë sepse ai protestoi gjithë kohën”, se nuk ia vlentë që ai të komentonte momentet e dyshimta sepse ato i panë të gjithë, dhe se këto gjëra në “Bernabeu” i kanë ndodhur edhe më parë.

E vërteta është se ajo që ndodhi në stadiumin e Real Madrid krijoi dyshime dhe kundërshtime.

Kjo u duk në anketën e trefishtë të së përditshmes kryeqytetse, “Marca”, me pyetjet nëse ishte e drejtë penalltia për “Madrilenët”, nëse ishte faull te goli i anuluar ndaj miqve dhe nëse Vinicius e preku topin me dorë apo me sup.

Edhe pse gazeta është e Madridit, në anketën ku morën pjesë të paktën rreth 120 000 tifozë, të treja përfundimet ishin kundër Realit, pra që nuk ishte penallti, që nuk ishte faull te goli, dhe se goli i Vincius duhej anuluar.

Nëse trajneri “Galaktikëve”, Carlo Ancelotti, deklaroi se i kuptonte polemikat e kundërshtarit, dhe se ishin vendime të VAR-it, e ishin të qarta, tjetër mendim kishte tekniku i “Katalanasve” të Barcelona, Xavi Hernandez.

“E pashë atë që ndodhi. Jam me fjalët e trajnerit Garitano, dhe mendoj se duhet një reflektim për këtë që po ndodh këtë vit. E kam thënë edhe më parë se ka gjëra që nuk po më pëlqejnë në këtë ligë”,- u shpreh tekniku i “Blaugranave”.

Në fund, skuadra e trajnerit Ancelotti fitoi me gol të shënuar nga Carvajal në minutën e 9-të shtesë. Pavarësisht nga polemikat, renditja është kjo që është, me Girona-n që kryeson me 52 pikë ndaj 51 të Reali-t, pas fitores 5-1 ndaj Sevilla. Gjithsesi, madrilenët kanë luajtur një ndeshje më pak. Barcelona ka mbetur më prapa me 44, ndonëse fitoi 4-2 ndaj Real Betis. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!