“Galaksia” shpallet shfaqja më e mirë në festivalin “Moisiu Online”

schedule18:25 - 18 Mars, 2021

schedule 18:25 - 18 Mars, 2021

Nga Leontina Nika

Pas 1 muaj shfaqjesh on line Festivali Mbarëkombëtar përmbyllet me 9 çmime. Shfaqja e Teatrit Kombëtar, “Galaksia” me regji të Rovena Lules është përzgjedhur, si “Shfaqja më e mirë”

Ndërsa, Dino Mustafic i cili u përfaqësua në këtë festival me tre shfaqje është vlerësuar për punën e tij, si “Regjisori më i mirë” në Teatrin “Migjeni” në Shkodër me “Jugorin” , “Kopshti i qershive” në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë dhe në skenën e pavarur, “Nëna edhe fëmija”.

Loja e Gëzim Rudit në shfaqjen “Monserati” të Teatrit të Prizrenit edhe Olta Dakut në shfaqjen “Galaksia” bëri që artistët përfaqësues të të gjithë teatrove që ishin pjesë e kësaj gare, t’i vlerësojnë ata si dy aktorët më të mirë protagonistë.

Ndërsa, loja e Arta Muçajt tek “Zgjimi i Pranverës” në Teatrin e Prishtinës edhe Gert Ferrës në “Kopshtin e Qershive” në Teatrin e Korçës, i përzgjodhi artistët si dy më të mirët joprotagonist. Silvio Goskoi në shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” të Teatrit Metropol edhe Igli Zarka në “Galaksia” janë dy artistët e rinj më të mirë.

Ndërsa, çmimi i Karrierës iu dha aktorit të mirënjohur Bujar Lako, postmortum. Juria që përzgjodhi çmimet që u ndanë në këtë festival ku morën pjesë trupa teatrore nga të gjitha trevat shqipfolëse përbëhej nga përfaqësues të çdo teatri.

“Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit Online”  u organizua nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental, Kujtim Spahivogli. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!