Gabimi që fundosi Dritan Rexhepin/ Ilir Kulla: Ka qenë në vëzhgim nga italianët, nëse flet do shkaktojë “tërmet” në botën e krimit

schedule21:51 - 10 Nëntor, 2023

schedule 21:51 - 10 Nëntor, 2023

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla në emisionin “Zonë e Lirë” në ABC, foli për arrestimin e Dritan Rexhepit, ky i fundit i cilësuar si koka e kartelit të drogës.

Kulla theksoi se Dritan Rexhepi prej vitesh ndiqej hapa pas hapi nga autoritetet italiane. Gjithashtu theksoi se autoritetet italiane e kanë vëzhguar prej vitesh dhe se kanë e gjetur nëpërmjet fëmijëve.

“Dritan Rexhepi është arrestuar në Stamboll. Kishte një vit që ishte spostuar atje me familjen. Është nga fshatrat e Vlorës, emrin e vet e ka Gramoz, e ka emër të ndryshuar. Para se të shkonte në Turqi, ka qenë në Kolumbi. Është martuar me një zonjë nga Kolumbia që është ndaluar edhe mbrëmë, ka dy fëmijë. Operacionin e kanë bërë turqit, por gjithçka e kanë organizuar italianët. Ata kanë ditur lidhjen e tij dhe se kishte dy fëmijë dhe kanë ndjekur fëmijët. Ata kanë ndjekur fëmijët, dhe kjo ka qenë ndër arsyet që u zbulua dhe gabimi që është bërë nga Rexhepi.

Kishte vite që ishte i fshehur. Është akuzuar për trafik ndërkombëtar drogë dhe ka pasur akuza për ngjarje kriminale. Ishin disa shërbime sekrete dhe Interpoli që e kërkonin prej vitesh. Ai u kap në Stamboll me një emër të ndryshuar. Ka qenë i ndjekur prej vitesh hapa pas hapi nga italianët. Ka dënim në Shqipëri dhe dënim në Itali. Ekstradimi është i sigurt, por problemi është ku? Kush do të ketë prioritet në ekstradimin e tij Italia apo Shqipëria këtë do ta shohim. Nëse flet dhe bashkëpunon do të jetë tërmeti më i madh që ka njohur bota e krimit deri tani”, tha ndër të tjera Kulla.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!