Fytyra e re e protestave në Rusi

schedule08:43 - 26 Janar, 2021

schedule 08:43 - 26 Janar, 2021

Nga Alexander Baunov, The Moscow  Times

Protestat që u zhvilluan në mbarë Rusinë të shtunën e kaluar, nuk ishin si lëvizjet lokale të zhvilluara kohët e fundit, si protestat e Moskës të verës së vitit 2019, apo ato rajonale të zhvilluara në vitet 2019-2020 në Kabarovsk, Jekaterinburg dhe Shijes.

Në vend të disa arsyeve të ndryshme, të cilat e bënin axhendën e opozitës të dukej jo koherente, protestat e fundit ishin të bashkuara në një kauzë e vetme:kundërshtimi ndaj regjimit në pushtet, dhe mbështetja për liderin e burgosur të opozitës Alexei Navalny.

Protestat kishin një bazë  më të gjerë mbështetjeje, sesa protestat e zakonshme liberale, dhe ato të mbështetësve të Navalny. Shumë nga ata që dolën në rrugë të shtunën, e theksuan se u nxitën t`a bënin këtë jo nga Navalny, të cilin ata nuk e konsiderojnë një udhëheqës ideal – dhe as për Rusinë, madje as për opozitën – por nga ajo që i bëri atij shteti rus:helmimin e tij me agjentin vdekjeprurës nervor Noviçok, dhe arrestimi i tij të menjëhershëm sapo u rikthyer në Rusi pas kurimit në Gjermani.

Pra,njerëzit e panë këtë si një protestë kundër paligjshmërisë, dhe në dritën e ndryshimeve të vitit të kaluar në Kushtetutën ruse, që  i japin mundësi presidentit Vladimir Putin të mbetet në pushtet sa të jetë gjallë, dhe kundër uzurpimit të pushtetit.

Në protestat e së shtunës,ra në sy mungesa e parullave dhe pllakateve humoristike në krahasim me protestat e mëparshme ruse (dhe lëvizjen aktuale të protestave në Bjellorusi). Protestuesit ishin shumë më seriozë, madje të zymtë. Parullave u mungonin gjithashtu thirrjet e zakonshme për respektimin e ligjit, demokracisë dhe kushtetutës.

Kjo protestë nuk kishte të bënte me apelimin ndaj autoriteteve për të respektuar ligjin, për

të numëruar votat si duhet, për të lejuar kandidatët të garojnë në zgjedhje, për të rivendosur në detyrë një guvernator të zgjedhur, apo për të hequr dorë nga planet për ndërtimin e një kishe të re në ndonjë zonë të gjelbër.

Ishte një marshim kundër atyre që janë sot në pushtet në Rusi, i nxitur jo nga mashtrimi elektoral apo nga ndonjë gabim në planin urbanistik të qytetit, por nga përpjekja për një vrasje dhe nga arrestimi pasues i një aktivisti të opozitës, që i kishte shpallur luftë të hapur regjimit të Putinit.

Ndryshe nga protestat që pasuan vrasjen e politikanit të njohur të opozitës Boris Nemtsov në vitin 2015, tubimi i së shtunës në Moskë, nuk u dominua nga përfaqësuesit e inteligjencës liberale të kryeqytetit. Pasi kishte qenë dikur pjesë e ekipit të Boris Jeltsin, Nemtsov, ishte shumë më pranë një nën-grupimi të shoqërisë ruse, që i sheh vitet 1990 si epoka e artë e Rusisë.

Për këtë grup njerëzish,Navalny është më pak hero se sa ishte Nemtsov. Për më tepër, shumë nga ata që dolën në rrugë në mbështetje të Navalny, nuk do t`a kishin bërë këtë për Nemtsov. Navalny i sulmon njëlloj zyrtarët dhe oligarkët rusë të viteve 2000 dhe ata të viteve 1990.

Nuk ka ende të dhëna sociologjike mbi protestat e së shtunës. Por parashikimet se ato do të udhëhiqeshin kryesisht nga të rinj, duket se kanë qenë të gabuara. Përveç kësaj, protestuesit më militantë nuk dukeshin si mbështetës tipikë të protestave pro-demokracisë në Moskë.

Përkundrazi, ato mund të përshkruhen si proletariati i ri urban dhe post-industrial.

Me shumë gjasë ata janë njerëz që punojnë në sektorin e shërbimeve publike, dhe që nuk janë të kënaqur me vendet e tyre të punës, pagat e tyre dhe perspektivën e tyre. Protesta e Moskës këtë fundjavë, ishte shumë më pak paqësore sesa të gjitha ato të mëparshmet.

Pati që në fillimi shumë përplasje me policinë. Imazhet e një sulmi ndaj një makine të policisë, të pajisur me një dritë verbuese janë të pashembullta për lëvizjen bashkëkohore të protestave ruse. Protesta e Shën Petërburgut,pati një pjesëmarrje edhe më të madhe se sa ajo e Moskës.

Ka gjasa të ekzistojë një lidhje midis niveleve të rasteve me Covid-19dhe numrit të protestuesve. Menaxhimi i pandemisë nga autoritetet e Shën Petersburgut, ka qenë më i keq se ai i homologëve të tyre në Moskë, dhe nivelet e infeksioneve nuk kanë qenë ndonjëherë më të larta në qytetin e dytë më të madh në Rusi sesa në kryeqytet.

Ashtu si gjatë protestave të Moskës të verës së vitit 2019, autoritetet e ekzagjeruan përballjen për të justifikuar më pas reagimin e tyre të ashpër. Sipas tyre, shërbimet e sigurisë nuk po i shkatërrojnë protestat. Ato janë në vijën e parë të frontit, duke i rezistuar një revolucioni të sponsorizuar nga armiq të huaj, synimi i të cilëve është ta shkatërrojnë Rusinë.

Pozicioni i Perëndimit mbi protestat e fundit, është shumë më aktiv sesa në vitet e mëparshme, gjë që vetëm sa e shton frikën publike dhe private të regjimit rus, dhe disa rusëve të zakonshëm. Kryeqytetet perëndimore, shprehin gjithnjë mbështetje për protestuesit rusë, dhe i dënojnë veprimet e shërbimeve të sigurisë.

Por pas helmimit të tij në Siberi dhe kurimit në Gjermani, Navalny është bërë zëri i dytë rus me më peshë jashtë vendit pas Putinit, dhe deklaratat e perëndimorëve përputhen me këtë realitet të ri. Për shembull administrata e re e presidentit Joe Biden në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se “do të qëndrojë krah për krah me aleatët dhe partnerët tanë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Nga kjo rrjedh se partneri i Biden në Rusi nuk është Putini por Navalny; dhe se ky i fundit është një aleat në betejën kundër Putinit. Kjo është ana që ka zgjedhur Uashingtoni në ngjarjet e fundit, pjesërisht ndoshta edhe si një kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.

Përkundër këtij sfondi, është e vështirë të imagjinohet një publik masiv që mbështet radhët e ushtarëve të regjimit rus. Protestat e së shtunës ishin në mënyrë të pamohueshme anti-regjim, anti-elitë dhe anti-korrupsion, por jo domosdoshmërisht liberale, pro-perëndimore dhe pro-demokracisë.

Tani organizatorët e protestave po përpiqen t’i bëjnë protestat një ngjarje periodike për sa kohë që Navalny do të mbetet në burg. Në Rusi po merr formë një situatë si ajo në Bjellorusinë fqinje, në të cilën opozita mund t’i nxjerrë çdo javë njerëzit në rrugë, duke i kthyer tubimet e protestave në një tipar rutinë të jetës urbane ruse.

Këto protesta të rregullta do të jenë sfondi i çdo kontakti ndërkombëtar me Kremlinin, ndërsa çdo dhunë e mundshme nga shërbimet e sigurisë do të shihet si një dukuri e përditshme në sytë e të huajve dhe rusëve. Si përgjigje, shteti do të përpiqet të de-legjitimojë protestuesit duke luajtur në idetë se ata janë të dhunshëm dhe se ata mbështeten nga sponsorët jashtë vendit.

Dhe siç e kemi parë në Minsk dhe Kabarovsk, protestat mund të vazhdojnë kështu për shumë muaj, me shpresën se ngjarjet mund të nisin të ndryshojnë gjërat në këtë vend. Tani për tani, koha është në krah të regjimit, por jo për një kohë të pacaktuar. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al