Futbollistët e kombëtares shqiptare në udhëkryq për të ardhmen

schedule21:13 - 27 Korrik, 2019

schedule 21:13 - 27 Korrik, 2019

Disa prej futbollistëve të kombëtares shqiptare të futbollit janë në udhëkryq sa i përket të ardhmes. Situata është mjaft e komplikuar për Hysajn dhe Sadikun .

Shume prej futbollistëve të kombëtares së Shqipërisë janë me valixhe në duar. E ardhmja e tyre është në pikëpyetje dhe situata e krijuara mund të ndikojë negativisht edhe në kombëtare.

Një nga futbollistët më të lakuar sa i përket të ardhmes është mbrojtësi Elseid Hysaj. Futbollisti i Napolit ka shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar nga klubi italian dhe destinacionet nuk mungojnë.

Pengesa e vetme që mban peng të ardhmen e futbollistit shkodran është kërkesa e Napolit. Bardhekaltërit kërkojnë plot 25 milionë euro për futbollistin e kombëtares ndërkohë që skuadra më e interesuar për anësorin e djathtë, Atletiko Madrid është ndalur në 15 milionë. E ardhmja e 25-vjeçarit është në udhëkryq.

Bomberi i kombëtares, Armando Sadiku pritet t’i japë fund aventurës në Spanjë tek Levante. Trajneri Pako Lopez nuk e ka aktivizuar sulmuesin në asnjë prej takimeve miqësore dhe i ka komunikuar se nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin e ardhshëm. Sadiku ka oferta nga kampionati turk, por kërkon të qëndrojë në Spanjë.

Balliu, Ajeti, Grezda dhe Aliji janë në kërkim të një aventure të re dhe situata është mjaft e ndërlikuar.

Mesfushori Ergys Kaçe është rikthyer tek Paok pas huazimit njëvjeçar tek skuadra e Panathinaikos, por e ardhmja mbetet e paqartë. Nuk dihet me siguri nëse shtatshkurti do të shitet përfundimisht apo do të qëndrojë tek Paok që zotëron kartonin e futbollistit.

Qendër mbrojtësi i kombëtares Kastriot Dermaku u transferua në Serinë A tek skuadra e Parmës. Një ngjitje e jashtëzakonshme në karrierën e futbollistit shqiptar, por nuk dihet ende nëse do të luajë sezonin e ardhshëm tek klubi italian apo do të huazohet diku tjetër për të luajtur me tepër pasi tek Parma nuk e ka të sigurtë vendin e titullarit.

Sokol Cikalleshi mund të largohet nga Turqia ku aktivizohet prej katër sezonesh. Aventura në futbollin turk është shoqëruar me ulje ngritje për sulmuesin e kombëtares.

Kristal Abazaj, një ndër emrat më të lakuar në Shqipëri, i cili konsiderohej si e ardhmja e sulmit të kombëtares mund të rikthehet tek Anderleht në Belgjikë ose të vijojë edhe për një tjetër sezon tek Osijek në futbollin kroat. Futbollisti shqiptar nuk përmbushi pritshmëritë tek Anderlehti dhe e ardhmja është në dyshim./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!