Shqipëria për herë të parë në historinë e saj kishte fatin të organizonte një ndeshje të një kompeticioni europian në Tiranë në stadiumin “Air Albania”. Roma triumfoi 1-0 përballë Feyenoord në një ndeshje që dhuroi emocione dhe skpektakël deri në minutën e fundit.
25 maji 2022 ka hyrë në historinë e botës së futbollit, pasi Conference League në debutimin e saj e zhvilloi finalen e parë në Shqipëri dhe kjo bëri që Tirana të ishte kryefjala e mediave të huaja gjatë ditëve të fundit.
Ajo e mbrëmshmja nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli, por ishte shumë më shumë se aq. Ishte një rritje për ekonominë e vendit, ishte një “pushtim” ku të huajt erdhën si kurrë më parë brenda një ditë të vetme, por mbi të gjitha, imazh.
Mes titujve të mediave të huaja kushtuar Shqipërisë dhe finales së Conference League, më i spikaturi vjen nga media holandeze, “NRC.NL”, e cila shkruan se tashmë Shqipëria është pjesë e Europës.
“Nga sot, Shqipëria është bërë pjesë e Europës”. E gjitha kjo vjen falë fuqisë së futbollit. Me të drejtë, teksa finalja u transmetua në 155 vende të botës dhe për herë të parë vendi ynë kishte interesin e gjithë shteteve të tjera me futbollin që thyen barrierat. /f.a/abcnews.al