Njëri prej tyre e ka lënë shenjën që tani. Mirlind Daku është një sulmues 24-vjeçar, shqiptar I Kosovës, I cili tashmë mban veshur bluzën e Shqipërisë. Ai u bë hero me golin e dytë në fitoren ndaj Polonisë në eliminatoret e Europianit, ndeshje ku u aktivizua edhe një tjetër lojtar nga Kosova.
Ky është Arbnor Muja, gjithashtu lojtar sulmues, por I krahut. Nga Prishtina vjen shqetësimi se ekipi kuqezi po i merr lojtarët, ndërsa lajmi ishte edhe për mbrojtësin Lumbardh Dellova.
Presidenti I Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, I bëri vërejtje Tiranës duke theksuar se nuk duhen thirrur lojtarë që kanë qenë pjesë e Kosovës. Nga Federata Shqiptare e Futbollit për momentin nuk ka koment.
Daku ka qenë I thirrur te Kosova për 5 ndeshje, duke qenë në stol në sfidat e Ligës së Kombeve, e duke u aktivizuar në 4 miqësore në 2021. Nga ajo kohë nuk pati interesim, ndërsa Shqipëria e thirri vetëm tani.
Muja, ndërkaq, ka qenë pjesë e Kosovës U21 në ndeshjet eliminatore të Europianit, madje ka qenë në ekip në sfidën e humbur 1-2 me Shqipërinë në “Elbasan Arena” në 2019. Edhe për të, interesimi nuk vazhdoi që nga ajo kohë dhe nuk u thirr kurrë nga ekipi përfaqësues I të rriturve të Kosovës.
Përsa I përket Lumbardh Dellovës, ai është 24 vjeç dhe luan si qendërmbrojtës te kampionia e Ballkanit. Futbollisti ka qenë në katër ndeshje në 2022 pjesë e Kosovës, veçse në miqësore, por jo në sfidat e Ligës së Kombeve apo eliminatoret e Europianit.
Ademi deklaron se Shqipëria nuk I ka bërë ftesë Dellovës, dhe se bisedon rregullisht me homologun e tij të Shqipërisë, Dukën. Gjithsesi, për herë të parë që nga koha e Europianit 2016 e përpara tij, lojtarë të Kosovës po mendojnë dhe po vijnë tek Shqipëria, me gjasë sepse nuk po gjejnë vend në ekipin e shtetit të tyre. /abcnews.al