Tifozat Kuq e Zi nuk munguan as në Moldavinë e largët. Një grup prej rreth 50 vetash konfirmuan dashurinë pa kushte për ngjyrat kuqezi dhe mbështetën gjatë gjithë ndeshjes djemtë e Rejës.
Në Stadionul Zimbru dëgjoheshin vetëm koret e tyre dhe e merituan plotësisht të shijonin nga afër 4 golat e ekipit kombëtar. TKZ nxori edhe një pankartë gjatë ndeshjes së mbrëmjes së kaluar.
“Hallexhinjtë” shkruhej në mesazhin e tyre, një ironi dhe gjetje e goditur. Thumbat ishin për Arben Dervishajn, anëtar i Komitet Ekzekutiv të FSHF-së. Ky i fundit bëri një deklaratë totalisht të pakuptimtë dhe të panevojshme, që solli acarimin e tifozëve të kombëtares, por jo vetëm.
“Këtu i duan falas biletat. 2-3 mijë lekë bën një kafe. Futbolli nuk është çështje halli, nuk vijnë hallexhinjtë”, pat thënë anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, në emisionin “Pressing” në ABC News. /abcnews.al