Federata Argjentinase e Futbollit do të nderojë Lionel Messin pas tërheqjes së tij nga kombëtarja, duke ndërprerë të gjitha ndeshjet e këtij fundjave në minutën e 10-të për një minutë duartrokitjesh.
“Pleshti” njoftoi të hënën vendimin e tij për të mos luajtur më me përfaqësuesen “albiceleste” në moshën 39-vjeçare. Ndeshja e fundit me kombëtaren ishte në finalen e Kupës së Botës, të humbur kundër Spanjës.
“Si shenjë nderimi dhe respekti për karrierën e Lionel Messit me kombëtaren e Argjentinës, në minutën e 10-të të lojës në të gjitha ndeshjet, gjyqtarët do ta ndërpresin lojën dhe do të mbahet një minutë duartrokitjesh të përgjithshme,” deklaroi Federata Argjentinase.
Messi, i cili mban rekordin e paraqitjeve për Argjentinën me 207 ndeshje dhe rekordin e golave të shënuar, bëri debutimin e tij ndërkombëtar në vitin 2005, duke hyrë si zëvendësues në minutën e 63-të në një fitore miqësore 2-1 ndaj Hungarisë.
Në vitin 2016 ai njoftoi se do të largohej nga kombëtarja, por më pas ndryshoi mëndje dhe udhëhoqi Argjentinën drejt triumfeve, duke fituar dy herë Copa Amerika, një Kupë Bote dhe një “Finalissima”.
Ai është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Kupës së Botës, me 21 gola, një më pak se francezi Kylian Mbappe dhe i dyti për sa u përket golave në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare, pas rivalit të tij të madh, portugezit Cristiano Ronaldo.
Lionel Messi do të vazhdojë të luajë me Inter Miami, ku ka një kontratë që zgjat deri në fund të sezonit 2028./abcnews.al

