Lysien Nyrishmi, Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, në një lidhje direkte me ABC News, u shfaq krah gazetarit Geti Çarcani dhe foli në lidhje me draft protokollin e hartuar që të rinisin kampionatet në vendin tonë. Sigurisht do të duhet të gjendet gjuha e përbashkët me autoritetet, që të hartohet një protokoll përfundimtar që klubet do të duhet ta zbatojnë.
Nyrishmi fillimisht ka deklaruar: “Situata është goxha pozitive, shikohet se jeta në Tiranë po rifillon, shpresojmë që edhe futbolli të rifillojë së shpejti”. Më tej ai shton: “Ne kemi përgatitur një draft protokoll sanitar, ku kemi marrë sugjerime nga specialistë të UEFA, FIFA. Është një material goxha i vlefshëm, me rregulla të përpikta për stërvitjet dhe për ndeshjet. Përmendet çdo gjë me detaje. Po u zbatua ky protokoll, nuk do të ketë pasoja po nisi kampionati”.
Shefi i Sektorit të Garave, në lidhje me praninë e tifozëve në stadiume në ndeshjet e mbetura të kampionateve në vend, shtoi: “Sa u takon tifozëve, edhe vetë ata janë dakord të luhen pa ata. Nuk mund të rrezikojmë të përhapet virusi te spektatorët. Kemi marrë masa për ekipet, stafet dhe zyrtarët e ndeshjeve”.
Nyrishmi më tej foli edhe për detaje të tjera të protokollit, që më parë është publikuar në ABC News. “Ky protokoll duhet miratuar, duhet një grup pune mes FSHF dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në protokoll është parashikuar një numër maksimal prej 160 personash. Sa i takon fushës së lojës, jo më shumë se 90 persona do lejohen, pra nga dhomat e zhveshjes në fushës.
60 prej tyre janë staf teknik dhe futbollistë, pasi janë 21 lojtarë në protokolle. Është një numër normal në këto masa të rrepta. Në tribunë do lejohen gazetarët, të distancuar me dy metra mes tyre. Nga klubet do jenë 10 persona, po ashtu të distancuar. Nuk do ketë konferenca, vetëm deklarata në transmetuesin e kampionatit”.
LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ FSHF si gjermanët, rregullat për ndeshjet në Shqipëri
“Stadiumet e Superiores i plotësojnë kushtet, janë të licencuara. Sa i takon Kategorisë së Parë, do i rishikojmë masat. Numri mund të jetë më i reduktuar. Jemi nisur te Superiorja, që është edhe niveli më i lartë i kampionatit”.
Në protokollin e propozuar, parashikohet që para çdo ndeshje, në orën 10:00, të bëhen të ditura rezultatet e testeve të futbollistëve dhe stafeve teknike. “Është draft protokoll, një ide, fillestar. Presim sugjerimet nga specialistët. Nëse do të ketë testime, kjo do të ketë edhe kosto. Do jetë edhe më mirë.
Nëse nuk do ketë, atëherë do presim opinionin e specialistëve të shëndetësisë. Do u lihet në dore stafeve mjekësore të klubeve, që do shohin gjendjen shëndetësore të futbollistëve. Në të gjitha përvojat e federatave të tjera, testet janë të përfshira. Ne nuk i kemi lënë. Do presim opinionin dhe të vendosim bashkërisht”.
Në fund Nyrishmi foli edhe për mbylljen e garës: “Klubet janë gati, presin me padurim dritën jeshile. Ekipet do kenë dy javë për t’u bërë gati. Është menduar data 20 maj më e mira e mundshme. Mund ta nisim edhe në fund të muajit maj, ose në fillim të qershorit, por kjo do të jetë në kurriz të ekipeve, pasi do ketë ngjeshje kalendari. Kjo nuk është në të mirë të futbollit, duke parë që temperaturat e larta janë të paevitueshme gjatë verës”. /abcnews.al