Nuk do të jetë si herët e tjera. Makabi i Tel Avivit luan sot ndeshjen e radhës në Ligën e Europës, në një skenar që duket si surrealist, ndaj Dinamos së Zagrebit pikërisht në Serbi.
Skuadra e madhe kroate kthehet në tokën serbe pas 28 viteve, por lajmi I ditës është që Makabi do të zbresë në fushë pikërisht në ditën e festës së madhe izraelite të Jom Kipurit.
Kjo do të thotë se futbollistët izraelitë të ekipit kanë qenë në agjërim, ndërsa udhëtuan drejt Beogradit, dhe ndërsa mbërritën në hotel në kryeqytetin serb, për të shkuar me autobus për në qytetin e vogël verior Baçka Topola, ku do të luhet sonte në orën 21:00.
Siç njoftojnë mediat serbe dhe ato kroate, festa e Jom Kipurit I ka detyruar drejtuesit e klubit nga Tel Avivi që t’i ndajnë lojtarët në dy pjesë.
Të huajt u vendosën në një hotel në Beograd për të udhëtuar dy orë në autostradë, ndërsa izraelitët u vendosën në një hotel pranë stadiumit, sepse ata duhet të agjërojnë 25 orë me radhë, dhe ky agjërim shkelet vetëm dy orë përpara se arbitri të vërshëllejë për nisjen e ndeshjes.
E përditshmja e Zagrebit, “Jutarnji List” është këshilluar me një specialist dhe ka shkruar se futbollistët izraelitë do të humbasin 3 deri në 4 kg në prag të ndeshjes.
Makabi barazoi 0-0 në Selanik ndaj PAOK-ut vendas në ndeshjen e javës së parë të Ligës së Europës, ndërsa Dinamo fitoi në fushën e vet 3-1 ndaj Fenerbahçes, sfidë në të cilën ylli kuqezi, Arbër Hoxha, shërbeu asist për njërin nga golat./abcnews.al

