Fushata elektorale/ Frrok Çupi: Kjo javë e ka qartësuar atë se çfarë do të ndodhë të dielën

schedule19:05 - 8 Maj, 2023

schedule 19:05 - 8 Maj, 2023

TIRANË- Analisti i njohur, Frrok Çupi, thotë se në javën e fundit të fushatës, përfundimi dhe rezultati i 14 majit duket qartësisht në favor të Partisë Socialiste dhe të kandidatëve të saj në pjesën dërrmuese të bashkive.

“Ditët e fundit, kjo javë, sapo kemi hyrë, e ka qartësuar portretin e zgjedhjeve atë se çfarë do të ndodhë ditën e diel. Gjithçka është e qartë një javë përpara. Mund të themi se PS i ka tepruar koha për fushatën, nuk i duhet më. Me të njëjtën fjalë mund të them për opozitës, sepse nuk i duhet koha më sepse ka arritur tek muri, sepse nuk gjeneron as pozitivitet, madje për të thënë të drejtën as negativitet”, tha ai.

Ai tha se në këtë fushatë mazhoranca dhe opozita kanë lëvizur në dy autostrada të ndryshme dhe nuk u takuan në asnjë pikë. Sipas Çupit e para fliste për projekte dhe zhvillimin e vendit, ndërsa e dyta për hallet e saj personale.

“Mazhoranca dhe opozita nuk u takuan askund, lëviznin në dy autostrada të ndryshme, ishin në dy qëllime të ndryshe, në dy projekte të tjera. Njëra kishte plane se si do të bëhet vendi, kurse pjesa tjetër mendonin për vete”, tha Çupi.

Ai tha se “Foltorja” po vijon të shpërbëhet bashkë me synimin e Ilir Metës për të bindur demokratët ta votojnë më 14 maj. Për Çupin, situata në Partinë Demokratike është shumë e paqartë dhe shumë e vonuar në aksionet politike.

“Foltorja e shkuar të Berisha, ajo pjesë e opozitës po shembet brenda vetes. Ai që kishte menduar se ta gëlltiste pjesën e demokratëve, Meta, nuk po e bën dot.  Ata që ë shikojnë Metën, nuk po e pranojnë, dhe kjo tregohet nga takimet. Është një paralajmërim për rezultatin. Pjesa tjetër e opozitës, vazhdon të shpërbëhet. PD e vërteta po ndihet në krizë. Duket si një zot shtëpia, dhe pasi kanë ikur krushqit ka filluar të këndojë, është vonuar në qëndrimet politike pro-perëndimore”, theksoi ai.

Gjatë intervistës në emisionin “Special Report” në ABC News, Çupi u shpreh se mazhoraca po mendon t’i lërë disa bashki opozitës, thjesht për arsye demokratike dhe konfigurimi.

“Në dy fronte, njëra është lodhur, tjetra e ka parë rezultatin dhe thuajse nuk u duhen këto ditë.  Kjo është  panoramë dhe piktura e asaj se çfarë po ndodh me këto kohë. E shikoj mazhorancën si një kujdestare që po tenton, që po i kalon nëpër duar bashkitë, me idenë se cilën bashki duhet t’i falë opozitës, sepse i dUhet 2-3 bashki t’i marrë opozita edhe për arsye demokratike, për arsye konfigurimi,  por ndërkohë mazhorancës i duhet për të treguar nesër se këto janë bashkitë që qeverisen nga opozita dhe shikon gjendjen e tyre”, tha ai./n.m.abcnews.al