Fushata e Trump: Ish presidenti u njoftua për kërcënimet e dyshuara nga Irani për ta vrarë atë

schedule09:50 - 25 Shtator, 2024

schedule 09:50 - 25 Shtator, 2024

Zyrtarët e inteligjencës amerikane e njoftuan të martën ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për kërcënimet e dyshuara nga Irani për ta vrarë atë, tha fushata e kandidatit republikan.

“Presidenti Trump u njoftua sot nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në lidhje me kërcënimet e vërteta dhe specifike nga Irani për ta vrarë atë, në përpjekje për destabilizim dhe për të shkaktuar kaos në Shtetet e Bashkuara”, tha fushata e Trumpit në një komunikatë të martën.

Ajo tha se zyrtarët e inteligjencës kanë zbuluar se kërcënimet iraniane “janë rritur në muajt e fundit” dhe se zyrtarët e Qeverisë amerikane janë duke punuar për ta mbrojtur Trumpin dhe për t’u siguruar se zgjedhjet nuk do të ndikohen.

Trump tha më herët në faqen e vet Truth Social se Irani përbën “kërcënim të madh” për jetën e tij, duke shtuar se përpjekjet e Iranit ishin të pasuksesshme “por ata do të tentojnë përsëri”.

Irani e ka mohuar në të kaluarën çdo pretendim të SHBA-së se po ndërhyn në çështjet amerikane.