Furgoni i grabitësve të Rinasit u modifikua në një servis në Elbasan

schedule18:14 - 21 Prill, 2019

schedule 18:14 - 21 Prill, 2019

Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e grabitjes në Rinas, ka zbuluar se furgoni volsvagen që u përdor nga grabitësit, të jetë modifikuar në qytetin e Elbasanit. Policia dhe Prokuroria kanë marrë në pyetje pronarin e servisit.  Burime nga grupi hetimor kanë bërë më dije se ka dyshime të forta që në grabitjen e 9 prillit të ketë marrë pjesë një femër.

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga Polica dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se kanë zbuluar servisin ku dyshohet se është modifikuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, që u përdor nga Admir Murataj dhe bashkëpunëtoret e tij në grabitjen e 6.5 milionë eurove në Rinas. Grupi i hetimit ka dyshime të forta se automjeti që u përdor nga grabitësit, është modifikuar në një pikë servisi në një lagje shumë të njohur të qytetit të Elbasanit.

Polica ka marrë në pyetje pronarin për të bërë të mundur identifikimin e personave që e kanë porositur modifikimin e automjetit.

Hetuesit janë tepër të rezervuar në dhënien e informacionit, por dyshohet se zbulimi i servisit është bërë nga pamja e kamerave të sigurisë, pasi është ndjekur gjithë itinerari ku ka kaluar ky mjet. Grupi hetimor nuk jep detaje në lidhje me deklarimet e pronarit të servisit si dhe mbi identitetin e tij. Grupi  hetimor ka dyshime të forta se në grabitje mund të ketë marrë pjesë edhe një femër.

Furgoni me mbishkrimin Hetimi Tatimor konsiderohet nga grupi hetimor si një minierë, pasi autorët aty kanë lënë mjaft prova, nga gjurmët e gishtave, deri të fijet e flokëve. Ekspertiza e tyre mund të çojë tek grabitësit, edhe pse ata janë munduar që më anë të spërkatjes me benzinë të dëmtojnë çdo gjurmë të mundshme që mund të kenë lënë.

Hetimi për këtë grabitje, ka detyruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda  që të hap dosjet e vjetra, për të bërë portretin dhe mënyrën se si vepronin disa grabitës në vendin tonë, të skeduar apo dyshuar për ngjarje të tjera të së njëjtës natyrë. /abcnews.al