“Fundi i një skenari gjakpirës, Kamzën e shkatërruan klane të futbollit dhe politikës”

schedule13:36 - 6 Maj, 2020

schedule 13:36 - 6 Maj, 2020

Andi Matraxhiu, ish-drejtor sportiv i Kamzës, ka reaguar pas lajmeve të fundit për mundësinë e shembjes së stadiumit të klubit periferik të kryeqytetit. Ai thekson se Kamzën e kanë shkatërruar klane të forta dhe se kjo është vetëm goditja e fundit, nga ato që kishin nisur prej kohësh dhe sollën rrëzimin e Kamzës nga Superiorja.

“Përshëndetje të gjithëve! Si ish-Drejtor Sportiv i skuadrës së Kamzës u mendova një herë (duke qenë i lodhur nga këto histori) te heshtja për shembjen e stadiumit, por e kam të pamundur. Atë skuadër e shkatërruan klane të forta në botën e futbollit dhe politikës. Njerëz të paaftë, që e kanë ndërtuar jetën në bazë të servilizmit, përplasën gotat e shampanjës ndaj Kamzës! Mallkuar qofshin, nga i pari tek i fundit…

 

Sigurisht, gabime kemi bërë të gjithë, nuk jemi shenjtor! Gjithkush, kujton dhunimin ndaj arbitrit Hamitaj, të cilin edhe unë e dënoj, por askush s’ka guxim të flasë të vërtetën! Të vërtetën që Kamza është masakruar, me urdhër, nga arbitrat, të dy sezonet që ishte pjesë e Superiores, derisa e rrëzuan. Personalisht e kam vuajtur shumë shpirtërisht dhe jo vetëm historinë e Kamzës, unë dhe familja ime.

Është e vetmja gjë që deri më sot më ka prekur familjen, sepse jam shume i kujdesshëm në këtë gjë. Sigurisht, keqardhje dhe për familjen e arbitrit të lartpërmendur, por ai ishte thjesht në vendin dhe momentin e gabuar, pjesë e skenarëve të shëmtuara, që vazhdonin javë pas jave.

 

E dashuroj futbollin, nuk e dëshiroj dhunën, por ja që adrenalina e tepruar, por edhe dhunimi arbitrar konstant, sollën atë që ndodhi dhe pavarësisht se ndaj Hamitajt s’kam lëshuar asnjë goditje, kam patur guximin t’i kërkoj falje. Por Kamzës së fundosur tashmë kush do t’i kërkojë falje? Kryetar pas kryetari, po e masakrojnë atë ekip!

Nuk mund ta pranoj se ai stadium do të shembet, një histori që nisi të shkruhet po shuhet nga skenarë të thella. Nuk kam folur deri tani, por ja që mendimet të zgjohen në të tilla raste. Po te heqim paralel historinë e Kamzës me dike tjetër, jo të gjithë që kanë dhunuar kanë patur të njëjtin përfundim.

 

Kjo gjë tregon qartë se me nervat e drejtuesve dhe tifozëve kamzalinj po provokohej në një skenar të qartë, që pasohet nga skenarët politik. Për mos të folur për arrestimin tim 3 ditor… më pas pafajësia… ishte një arrestim i nxitur dhe sponsorizuar nga ata persona që si pëlqen natyra ime e drejtpërdrejtë, duan servilizma.

Si pëlqen miqësia ime me presidentin Naim Qarri, por ajo kurrë s’do të ndryshojë. Mos të zgjatem më shumë, prishja e stadiumit, është fundi i një skenari gjakpirës, hartuar nga “vampirët” që s’mund të jetojnë pa pirë gjakun e të tjerëve… Por nuk do të jetë e vonë dita e shkatërrimit të tyre, sepse hak pa u marrë e gjak pa u larë nuk ka mbetur në këtë botë, në një mënyrë apo në tjetrën”, shkruan Matraxhiu në llogarinë e tij në “Facebook”. /abcneës.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!