Llapi është fituesi i Kupës së Kosovës për këtë edicion. Skuadra nga Podujeva kishte përballë Dukagjinin, që vinte nga Liga e Parë, por në fund rezultoi të ishte një kundërshtar shumë i vështirë.
Koha e rregullt prej 90 minutash u mbyll në barazim pa gola, teksa në shtesën prej 30 minutash ndodhi edhe spektakli më i madh dhe zemrat rrahën me kapacitet maksimal.
Ishte pikërisht Dukagjini, që gjeti golin e avantazhit në minutën e 113 me Merlakun dhe krijoi iluzionet e fitores së madhe. Kjo vazhdoi deri në minutat shtesë, kur Llapi do kthehej në jetë dhe do barazonte shifrat me Prencin, duke e çuar ndeshjen me penallti.
Nga pika e bardhë vendosi eksperienca e Llapit, që mundi të fitojë me shifrat 3-4 dhe të fitojë Kupën e parë në historinë e klubit. Me këtë trofe ata sigurojnë edhe kualifikimin në Europa League për sezonin e ardhshëm.
Në këtë rrugëtim Dukagjini ishte surpriza më e madhe, duke eliminuar 2 Korrikun, Drenicën dhe Istogun dhe arritur finalen. Ndërkohë, Llapi kishte një rrugë akoma më të vështirë. Për të mbërritur deri në finale atyre iu desh të mposhtnin Ballkanin, Trepçën dhe Prishtinën. /abcnews.al