Ftesa e Ramës për Bashën, Vjosa dhe aeroporti i Vlorës, Klosi në ABC: Në Berat, të sigurt 5 mandate

schedule19:52 - 15 Prill, 2021

schedule 19:52 - 15 Prill, 2021

Ministri i Turizmit Blendi Klosi, i cili është drejtues politik i PS-së në Berat i vendosur i pesti në listë, aq sa është edhe synimi i socialistëve në këtë qark në një intervistë për Radarin Informativ në ABC u shpreh i bindur te objektivi. Ai tha se synimi i tij është bashkimi i së majtës në këtë qark dhe kthimi në shtëpi i socialistëve që më parë iu bashkuan LSI-së.

Ndalur te debati për mbrojtjen e Vjosës, ai garantoi se nuk do të ndërtohet asnjë HEC, ndërsa për aeroportin e Vlorës la të hapur mundësinë e anulimit të projektit nëse nga studimi që do të paraqesë kompania fituese, ekspertët vendas dhe të huaj do të konstatojnë ndikim në mjedis. Klosi tha se aeroporti nuk po ndërtohet në një zonë të mbrojtur por në atë të gjurmës ekzistuese.

Intervista e plotë e Blendi Klosit në ABC

Si është gara në Berat?

Jemi në një garë nuk është e vështirë, por shumë e mirë, Berati është një qark i qetë, nuk ka pasur asnjë incident, pastaj vullneti i qytetarëve është në kutinë e votimit. Jam me fat, kandidoj në një qark super të majtë dhe marrja e mandatit të pestë është detyrë.

Jeni i pesti në listën e PS-së në Berat….

I gjithë lidershipi i PS-së është vendosur në limite, ekstrem, në Berat kërkojmë pesë mandate dhe kjo falë bashkimit të votës së të majtës në Berat, pasi ka qenë e ndarë e majta. LSI ka marrë një numër të konsiderueshëm votash, ne duhet ti kthejmë në embrion.

Nëse PS nuk merr 5 mandate?

Gara është për mandatin e pestë dhe struktura është e mobilizuar për mandatin e pestë dhe listat e hapura, prandaj i realizoi për vlerësim personal për secilin kandidat.

Nëse nuk merret mandati i pestë?

Ne jemi në garë dhe nuk e diskutojmë fare mandatin e pestë.

Turizmi dhe ambienti, aeroporti i Vlorës që do të ndërtohet në një zonë të mbrojtur dhe Vjosa që po bëhet një cështje ndërkombëtare?

Tani po flisni me ministrin që ka firmosur për shpëtimin e Vjosës për ta shpallur zonë të mbrojtur. Nga 28 dhjetori i Vjosa është zonë e mbrojtur dhe jam ministri që ka firmosur ndalimin e ndërtimit të HEC-it.

Do i qëndroni edhe mandatin e tretë?

Padyshim. Sa i përket aeroportit, zona nuk është një zonë park kombëtar, por ku kërkohet të ndërtohet aeroporti i ri te gjurma ekzistuese. Jemi në procesin e dhënies së koncesionit.

Pse pikërisht aty, ku e gjithë harta e tregon zonë të mbrojtur?

Është peisazh i mbrojtur, jo park kombëtar. Është terreni ekzistues për aeroportin. Kompania ka detyrimin që të paraqesë një studim të ndikimit në mjedis dhe kur të kemi materialin do të kërkojmë mendim të ekspertëve të fushës. Në rast se kompania do të paraqesë një projekt që nuk do të pranohet nga ekspertët e fushës… Nëse projekti ka zgjidhje të qëndrueshme përsa i përket mosndikimit në ambientin dhe ndikimin në mjedis do të miratohet. Kompania do të paraqesë zgjidhje shkencore për të gjithë zhvillimin e zonës urbane dhe do të ketë ekspertë të huaj dhe vendas, do të jetë pjesë e diskutimit publik.

Nëse do të ketë dëme do të anulohet?

Patjetër. Ajo do të varet nga koncesionari nga investitori që do të realizojë atë projekt. Për cdo objekt që ndërtohet kjo është procedura, kompania paraqet lejen e ndikimit në mjedis, edhe për të bërë një magazinë në fshat, nëse projekti nuk ka ndikim në mjedis bën zhvillimin. Nëse do të ishte një ndërtim në një zonë të mbrojtur në një park kombëtar padyshim. Aeroporti i ri ndërtohet mbi atë ekzistues.

Por si është raporti i premtimeve të mbajtura në Berat nga PS?

Në 4 vitet e fundit kemi premtuar By Pass-in e qytetit të Beratit, është zgjidhur dhe tani është fakt.

Dhe një pyetje të fundit, Rama ka artikuluar një thirrje për Bashën për të bashkë-qeverisur, është strategji që është shpërndarë edhe nëpër rrethe, a po filloni të bashkëpunoni për të nxjerrë jashtë LSI?

Çfarë ka thënë Rama e keni lexuar dhe kuptuar qartë, nuk bëhet fjalë individë të veçantë por për t’u shkëputur nga politika e vjetër, ajo që PD ka bërë kur ka drejtuar vendin, dhe kërkesa e Ramës ka qenë që Basha të shkëputet nga Berisha dhe Meta.

db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!