Forca e Sigurisë Kosovës është angazhuar në një operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat.
FSK tha se iu bashkua për ndihmë autoriteteve shqiptare pas ndihmës së kërkuar nga ato.
“Me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë Kosovës ka angazhuar një kontingjent të Kërkim-Shpëtimit, të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, i cili i është bashkuar Operacionit në Kolosit, të Republikës së Shqipërisë, për të intervenuar në operacionin e kërkimit të një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat”.
Pavarësisht përpjekjeve intensive për gjetjen e Jurgen Karajit, që sipas mediave në Shqipëri është 30-vjeçar, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e të riut.
Ai u zhduk pasi mbrëmjen mes 9 dhe 10 janarit, pasi me automjetin që po udhëtonte, ku ai ishte pasagjer, humbi kontrollin dhe dyshohet se ra në përrua. Shoferi i automjetit arriti të dalë nga vetura, ndërsa Karajn dyshohet se e mori rrjedha e ujit.


