FSHF “u mbledh rripat” klubeve për licencimin

schedule15:28 - 26 Shtator, 2019

schedule 15:28 - 26 Shtator, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit do të ketë kontroll më të rreptë mbi klubet për licencimin. Takime të shpeshta dhe shkëmbim përvoje për të shmangur rrezikun e falimentimit. Një gjë nuk është e qartë: Përse pritën kaq gjatë?!

Federata Shqiptare e Futbollit mblodhi presidentët e klubeve në selinë e saj, për t’u shprehur qartë shqetësimin e saj të madh. Presidenti Duka u detyrua të takonte krerët si Takajn, Demin, Halilin apo Idrizin në mënyrë që të vendosen piketat për të mos u përsëritur ajo që ndodhi këtë verë, rreziku i falimentimit për të paktën katër klube.

Këtë sezon do të ketë monitorim më të rreptë për realizimin e procesit të licencimit, me frikën më të madhe në kriterin financiar, apo më qartë tek borxhet. Grupe pune të Federatës do të shkojnë nëpër klube gjatë vitit për kontroll.

Jo vetëm kaq, por në Federatë kanë kuptuar se klubet nuk kanë kapacitetin për t’ia dalë vetë mbanë, ndaj kanë vendosur t’i asistojnë në çdo hap. Përtej licencimit, pezull ka mbetur paketa ligjore e dakordësuar me qeverinë, që duhej miratuar nga parlamenti në Shtator.

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, doli shumë i kënaqur nga mbledhja. Numri 1 i Skënderbeut, Takaj, tregoi afatin e miratimit të paketës ligjore nga qeveria.

I kënaqur u duk edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili. Federata dhe klubet ranë dakord që të ketë trajnime disa herë në çdo muaj për financimin, aspektin juridik, disiplinën sportive, mjekët, ekipet zinxhir apo infrastrukturën. Afatet për licencimin janë nga 31 Janari deri në 30 Prill. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!