Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pasditen e sotme në lidhje me arrestimin e trajnerit të ekipit kombëtar të femrave të futbollit, Armir Grima.
Në deklaratën në faqen zyrtare të këtij institucioni thuhet se FSH beson në pafajësinë e tij deri sa drejtësia të japë verdiktin e saj.
“FSHF në qëndrimin e saj është e prirur të besojë në pafajësinë e plotë dhe mospërfshirjen te trajnerit Armir Grima në rrjetet kriminale për të cilën është ndaluar nga ana e autoriteteve të rendit. FSHF mbetet shumë sensitive karshi kësaj ngjarjeje, por njëherësh është në pritje të zbardhjes së plotë të akuzës që rëndon mbi trajnerin Grima, duke pritur verdiktin e drejtësisë”.
Sipas këtij institucioni një moment i tillë nuk mund të përbëjë objekt sulmi karshi Armirit, përsa kohë drejtësia nuk ka dhënë vendimin e saj, madje as nuk ka nisur ende të bëjë punën e saj.
Reagimi i FSH-së
Federata Shqiptare e Futbollit është njohur me ngjarjen e fundit të komunikuar zyrtarisht nga ana e Policisë së Shtetit, për ndalimin e z.Armir Grima, aktualisht trajner i ekipit kombëtar të femrave të futbollit. FSHF në qëndrimin e saj është e prirur të besojë në pafajësinë e plotë dhe mospërfshirjen te trajnerit Armir Grima në rrjetet kriminale për të cilën është ndaluar nga ana e autoriteteve të rendit. FSHF mbetet shumë sensitive karshi kësaj ngjarjeje, por njëherësh është në pritje të zbardhjes së plotë të akuzës që rëndon mbi trajnerin Grima, duke pritur verdiktin e drejtësisë.
Një moment i tillë nuk mund të përbëjë objekt sulmi karshi Armirit, përsa kohë drejtësia nuk ka dhënë vendimin e saj, madje as nuk ka nisur ende të bëjë punën e saj.
FSHF do të ndjekë me shumë qetësi dhe seriozitet ecurinë e kësaj ngjarjeje, duke ftuar njëherësh të gjithë të presin mbylljen e procesit dhe të frenojnë emotivitetin e tyre momental karshi z.Grima që mbetet një familjar i shkëlqyer dhe një njeri me reputacion dhe personalitet të lartë në ambjentin e futbollit shqiptar, dhe jo vetëm. /abcnews.al