“FSHF na ka bërë si tabelë qitje, po na shkrijnë si skuadër!”

schedule10:20 - 21 Shtator, 2019

schedule 10:20 - 21 Shtator, 2019

Futbolli shqiptar mund të humbasë një tjetër klub futbolli dhe këtë herë është Kamza që rrezikon shkrirjen. Kur ka edhe një javë për të nisur Kategoria e Dytë, në klubin periferik të kryeqytetit nuk ka asnjë lëvizje për të ndërtuar një ekip, qoftë edhe sa për të marrë pjesë në garë.

Për të mos mjaftuar kjo, një ditë më parë Komisioni i Disiplinës përjashtoi Kamzën në dy sezonet pasardhëse të Kupës së Shqipërisë. Kjo ndodhi për shkak se nuk u paraqit në ndeshjen e programuar me Apoloninë, e vlefshme për turin e parë të Kupës.

Pas këtij vendimi ka ardhur edhe reagimi i Kamzës, që sulmon Federatën Shqiptare të Futbollit. Mes të tjerash i vë fajin kryesor nëse ky klub nuk do të ekzistojë më.

REAGIMI – “Pasi jemi njohur me sulmin e radhës ndaj ekipit tonë, nuk çuditemi aspak me këto dënime komuniste. Skuadra është në pikën e hallit pas shkatërrimit që vetë ata që drejtojnë futbollin i kanë bërë. Nuk është në dëshirën tonë që qyteti i Kamzës mos të ketë skuadër, por kur sulmet nuk ndalen, nuk dimë ku ta gjejmë moralin për të vazhduar investimet?

Bashkia heziton prej 2 sezonesh. Federata e ka bërë Kamzën si tabelë poligoni! Të vjen keq, por ky është realiteti. Pasi na dënuan kur kishim një super-skuadër, të cilën me “ujqërit” e tyre të zinj e sulmuan një vit më parë javë pas javë, tashme na dënojnë edhe kur s’kemi skuadër!

Me pak fjalë, Kamza është si hasëm për federatën, ku mirë që e vranë, por se lënë të qetë as në arkivol dhe tashmë në varr. Nëse Kamza s’do të ekzistojë më, fajtor është vetëm institucioni i federatës, i cili e sulmon pa fund, pa u ngopur si Ujku në mes të dëborës. Mjerë futbolli ynë cilin ka në krye!”, shkruhet në qëndrimin e Kamzës. /abcnews.al