Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një mbledhje me drejtorët e Shoqatave Rajonale në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, Përgjegjësi i futbollit të fëmijëve në FSHF, Andi Zëre dhe tetë drejtorët e Shoqatave Rajonale.
Në këtë mbledhje u diskutuan disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së futbollit mesatar në vend. Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea prezantoi edhe programin teknik për muajin shkurt, me ushtrime specifike që trajnerët do të duhet të ndjekin.
Gjithashtu u diskutua edhe për turneun e ardhshëm rajonal që do të organizohet nga FSHF në muajin maj, një aktivitet ku evidentohen talentet më të mira nga të gjitha zonat rajonale të Shqipërisë.
Në fund u bë edhe një analizë e detajuar për ekipet rajonale, puna që është bërë dhe objektivat që duhet të arrihen në të ardhmen. /FSHF